Hapet EXPOKOS, rreth 400 kompani pjesëmarrëse

Rreth 400 kompani nga vende të ndryshme të botës, po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar “EXPOKOS 2012”, duke e bërë kështu panairin më të madh në rajon. Në edicionin e 11 të këtij panairi të ndërtimtarisë, energjetikës, teknikës, mobilierisë dhe palujtshmërive, pjesëmarrëse janë kompani nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Sllovenia, Gjermania, Hungaria, Austria, Çekia, Greqia, Belgjika, Italia, Holanda, Anglia, Turqia, Serbia dhe Bullgaria.

Panairi që do të qëndroj i hapur deri më 19 maj, ofron edhe seminare, konferenca dhe prezantime nga ekspozuesit për vizitorët.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila para pjesëmarrësve në këtë panair ka thënë se Kosova, përveç pasurive natyrore, ka edhe popullatë të re. “Kosova tani gjendet në vazhdën e reformave të saj, për të bërë ambientin më të mirë, për të bërë ekonominë e Kosovës më të fortë dhe për të ngritur mirëqenien e qytetarëve të saj. Qëllimi i këtyre reformave është që të tërheqim investime të cilat do të forcojnë ekonominë por gjithashtu do të krijojnë punësim të qëndrueshëm në Kosovë. Një e vërtetë e pa kontestueshme për procesin e reformave është se duhet të jeni të sinqertë dhe të ballafaqohemi me sfidat që megjithatë i kemi”, tha Kusari-Lila.

Përfaqësuesit e delegacioneve të huaja që vizitojnë panairin, do të kenë edhe takime me përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Kosovës.

/Telegrafi/