Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) zhvilloi sot në Prishtinë ceremoninë e hapjes së ofertave për rrethin e tetë të privatizimit. Në këtë rreth, ku bëjnë pjesë 12 ndërmarrje shoqërore prej të cilave do të krijohen 15 ndërmarrje të reja, janë paraqitur 102 ofertues. “Qeveria e Kosovës është e kënaqur me ecurinë e procesit të privatizimit, dhe Agjencia për promovimin e investimeve, pritet të ndikojë pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja”, u shpreh ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli
Prishtinë, 12 tetor 2005 – Për 12 ndërmarrje të rrethit të tetë të tenderit të privatizimit, prej të cilave do të krijohen 15 ndërmarrjeve të reja, janë paraqitur 102 oferta. Rrethi i parë i hapjes së ofertave është zhvilluar, por blerësit e përkohshëm të këtyre ndërmarrjeve pritet të shpallen pasdite, në rrethin e dytë të ofertimit, ku ofertuesit do të mund të ngritin çmimin e ofertave. Shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, drejtori i bordit të AKM-së, Joachim Ruecker u shpreh se privatizimi nuk është proces aspak i lehtë, por falë angazhimit të personelit të AKM-së dhe bordit të kësaj agjencie, ky proces tani po rrjedh mjaft shpejt: “Kjo është një mundësi e mirë për ekonominë e Kosovës dhe investimet private. Personeli i AKM-së dhe bordit ka punuar shumë që të përgatisë ndërmarrjet për privatizim, dhe nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi ka pasur edhe mjaft ankesa për pronësinë e disa ndërmarrjeve”. Ruecker u bëri thirrje ofertuesve që kanë ankesa që të drejtohen pranë odës së veçantë, dhe theksoi se gjatë javëve të ardhshme do të mund të kompletohen disa rrathë të privatizimit.
Ndërsa ministri i tregtisë dhe industrisë, Bujar Dugolli tha se qeveria është e kënaqur me ecurinë e privatizimit, dhe është angazhuar për profesionalizimin e politikave operuese të këtij procesi: “Njëkohësisht qeveria është duke bërë një punë të madhe dhe themelimi i Agjencisë për promovimin e investimeve ndikon pozitivisht në koordinimin e punëve, që sa më shumë të ofrojmë investitorë të huaj që të marrin pjesë në procesin e privatizimit, dhe të vijnë kompani serioze për të investuar në Kosovë. Sfida dhe vështirësi ka por janë të kalueshme”. Dugolli premtoi angazhim të vazhdueshëm për dinamikën e mëtejshme të këtij procesi.
Në rrethin e tetë, do të privatizohen: Ndërmarrja e re “Flamme-ing” në Prizren, “Komuna” Prizren, “ Metal Holding” në Lypjan, “KosovaTex” në Prishtinë, “28 Nëntori” në Gjilan, “Kosovatrans”- Kamenicë, “Stacioni i Veterinës” në Vushtrri, “IMB” në Mitrovicë, Restorant “Peja”, Hotel “Korzo” si dhe “Kombinati i Lëkurë Këpucëve” në Pejë.
Rrethi i ardhshëm do të mbahet në dhjetor, ndërkaq në janar përmes metodës së spin-offit special do të shiten ndërmarrjet që konsiderohen margaritarë të ekonomisë së Kosovës, si miniera e Goleshit, “Birraria e Pejës” dhe hoteli Grand. Data e parakualifikimit për këto ndërmarrje është 11 janari 2006, raundi i parë i ofertimit është caktuar më 18 janar, ndërsa raundi i dytë më 25 janar 2005. Nesër pritet që Bordi i AKM-së të shpall rrethin e dhjetë të privatizimit, ndërkaq nga rrethi i nëntë e tutje pritet të mbahet vetëm një rreth i dorëzimit të ofertave.
ECIKS / RTKLive