BERZH-i kërkon liberalizimin e tregut të telefonisë

Përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Prishtinë, Paul Moffat dhe Kenji Nakazawa, thanë se do të ofrojnë asistencë teknike

Prishtinë, 12 tetor 2005 – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u ka rekomanduar autoriteteve në Kosovë që ta liberalizojnë tregun e telefonisë në vend. Sipas tyre, hapja e tregut dhe mbështetja e rregullatorit të pavarur, konform praktikave të Bashkimit Evropian, mundëson aplikimin e konkurrencës së lirë në sektorin e telekomunikacionit, si alternativa e vetme për zhvillimin e këtij sektori. Përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Prishtinë, Paul Moffat dhe Kenji Nakazawa, këto komente i bënë pas takimit me kreun e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit të Kosovës, Anton Berisha. Kryetari i ART-së i ka informuar zyrtarët e Bankës Evropiane me aktivitetet e ART-së për zhvillimin e sektorit të telekomunikacionit, si dhe nevojën imediate të hapjes së tregut dhe konkurrencës së lirë në këtë sektor. Përfaqësuesit e BERZH-it i kanë premtuar ART-së asistencë profesionale dhe teknike për implementimin e projekteve të saj.
Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) është i vetmi operator që ofron shërbime të telekomunikacionit në Kosovë. Këto shërbime janë kritikuar në raportin e Komisionit Evropian, dega ekzekutive e Bashkimit Evropian, i cili i ka cilësuar si më të dobëtat e më të shtrenjtat në rajon. Vitin e kaluar ART-ja pati përzgjedhur kompaninë Mobikos si operator të dytë, por UNMIK-u e anuloi fituesin e tenderit me pretendimin se ka pasur korrupsion gjatë procesit.

ECIKS / Biznesi