Gruri vendës siguron 60 % të nevojave të vendit

Prishtinë, 14 korrik 2004 – Korrje-shirjet e këtij viti dëshmojnë se në krahasim me vitet e kaluara ka një rritje të dukshme të rendimenteve të grurit, me të cilat parashikohet të plotësohen rreth 60 për qind e nevojave të kosovarëve, thanë për “Biznesin” zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). Jusuf Salihu, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë, tha se sivjet janë mbjellur rreth 80 mijë hektarë grurë. Sipas tij, duke marrë parasysh gjendjen momentale të drithërave, në krahasim me vitin e kaluar, rezultatet janë mjaft inkurajuese. “Besojmë se sivjet do të ketë rritje të rendimenteve duke llogaritur se rendimenti për hektar ka arritur në disa rajone prej 350-400 kv grurë”, tha ai. Korrje-shirjet në Rrafshin e Dukagjinit, sipas tij, kanë filluar dy javë më parë, ndërsa kanë filluar edhe përgatitjet intensive për futjen e autokombajnave edhe në vendet e tjera. Salihu tha se korrjet do të bëhen së shpejti edhe në pjesët ku është mbjellur gruri për farë. “Rreth 2000 hektarë tokë janë mbjellur për përpunimin dhe nxjerrjen e farës së grurit nga fushat tona”, tha ai. Deri tani fara e grurit është importuar dhe tani janë bërë hapat e parë që përmes Shoqatës së Kultivuesve të Farës të mbillen disa varietete të farës së grurit. Fara e grurit është mbjellur kryesisht në komunën e Ferizajt, ku toka është pjellore për kultivimin e saj.

Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë shpresojnë se gjithçka do të shkojë mbarë, duke marrë parasysh se kanë angazhuar rreth 90 autokombajna. “Bujqit janë trajnuar për drejtimin dhe ndërrimin e pjesëve rezervë në autokombanja”, tha Salihu. Sipas tij, me teknologjinë ekzistuese, do të arrihet përfundimi me sukses i korrje-shirjeve, por për vitin e ardhshëm parashikohet që të ndërrohet shumica e kombajnave. Duke marrë parasysh që këtë vit janë bërë ndryshime në politikën fiskale, ministria parashikon që në vitin 2005 të sjellë nga shtetet e tjera teknologji të re bujqësore, përfshi edhe kombajna, traktorë, etj, pa doganë. Kjo, siç thuhet, do të jetë lehtësim edhe për fermerët individualë.

Burimet
Kosova disponon 577 mijë hektarë tokë bujqësore, prej të cilave 272 hektarë janë të mbjellura me kultura bujqësore, ndërsa pjesa tjetër janë livadhe, kullota dhe djerrina. Rreth 88 për qind e tokës bujqësore është pronë private dhe pjesa tjetër pronë shoqërore. Hulumtimet e ndryshme tregojnë se toka bujqësore dita ditës po zvogëlohet për shkak të shfrytëzimit të saj për nevoja të tjera. Sipas ekspertëve të MBPZHR, në krahasim me vendet e rajonit, rendimentet e grurit në Kosovës janë më të ulëta, sepse kultura e grurit në Kosovë kultivohet në mënyrë tradicionale, që do të thotë, se ai nuk kultivohet për shitje.

ECIKS / Biznesi