Gruri e mielli lirohen nga doganat

PRISHTINË, 4 TETOR 2003 – Qeveria e Kosovës ka përshëndetetur dje përmes një komunikate shpalljen e Urdhëresës Administrative 2003/24 nga PSSP-ja për lirimin e përkohëshëm nga Dogana për importin e grurit, miellit të grurit si dhe farërave të grurit në Kosovë.

Në komunikatë thuhet që moti i keq, gjatë këtij viti, ka rezultuar me të korrura të varfëra të grurit në Kosovë dhe në Evropë. Kjo ka shkakuar ngritjen e çmimit të grurit dhe miellit. Transporti dhe dogana në importimin e grurit dhe miellit shkaktojnë ngritjen e çmimit të këtyre prodhimeve.

Për të frenuar rritjen potenciale të çmimeve të bukës dhe miellit, Qeveria ka propozuar dy veprime të cilat janë reflektuar në Urdhëresën Administrative të nënshkruar.

(1) Gruri dhe mielli i grurit do të lirohen nga dogana deri më 30 prill 2004.

(2) Farërat e grurit do të lirohen nga dogana deri më 30 dhjetor 2003. Kjo masë do të aplikohet vetëm për farërat e grurit të çertifikuara, me qëllim të ndihmës për bujqët në mbjelljen e grurit, për sigurimin e rendimenteve më të larta.

Afati i lirimit nga dogana do të shqyrtohet në fillim të vitit 2004 si pjesë e një rishikimi më të gjërë për përmirsimin e prodhimtarisë bujqësore në Kosovë.

Qeveria do të monitorojë për së afërmi çmimin e grurit, miellit dhe bukës për të siguruar që konsumatorët të përfitojnë nga lirimi në tatim. Lirmi në tatim është 10% në çmimin e importit.

Komunikate përfundon duke konstatuar se nënshkrimi i Urdhëresës Administrative është dëshmi se Institucionet Qeverisëse Kosovare dhe UNMIK-u mund të punojnë së bashku në trajtimin e problemeve sociale dhe ekonomike me të cilat po ballafaqohet Kosova.

ECIKS