HAN I ELEZIT, 3 TETOR 2003 – Gjashtë autobote me nënprodukte të naftës janë zhdukur dy ditë më parë nga pika doganore e Hanit të Elezit. Sipas një burimi që nuk deshi të identifikohej nga Shërbimi Doganor i Kosovës, autobotet ishin duke ardhur nga Bullgaria dhe kishin për destinacion Malishevën.
Ky burim shtoi se ngarkesa e autoboteve ishte evidencuar në librat doganorë, por autobotet kanë kaluar doganën pa e paguar shërbimin e saj dhe duke shërbyer me dokumentacion falso, që mbante vulat origjinale të doganave të UNMIK-ut.
Në autobote ka pasur 182.387 litra benzinë, për të cilën detyrimi doganor kap shumën prej 74.575 eurosh. Lajmi është konfirmuar edhe nga Shtylla IV e UNMIK-ut. “Dogana është njohur me këtë rast dhe kanë nisur hetimet,” tha zëdhënësja Monik de Grot.
ECIKS / Kosovapress