Gjermania dhe Shqipëria bisedojnë për bashkëpunimin ekonomik

Tiranë, 2 dhjetor 2004 – Dje në Tiranë Gjermania filloi bisedimet me qeverinë e Shqipërisë për fushat e bashkëpunimit të mëtejshëm ekonomik dhe financiar mes dy vendeve. Burime nga ambasada gjermane në Tiranë thanë për DW se fushat e bashkëpunimit do të jenë turizmi, energjia, financat dhe ekonomia. Protokolli i bashkëpunimit do të përfshijë edhe decentralizimin e pushtetit lokal, ku Gjermania po jep një kontribut të spikatur. Një prej projekteve të saj më të sukseshme është ai që përfshiu 8 bashki të Shqipërisë dhe realizoi binjakëzimin e tyre me qytete gjermane.

Gjermania do të zhvillojë këtë javë bisedime qeveritare në Tiranë për fushat e bashkëpunimit të mëtejshëm me Shqipërinë. Ky bashkëpunim ngrihet në një traditë suksesesh të arritur nga një sërë projektesh të financuar nga qeveria gjermane permes organizmave te saj te bashkepunimit ekonomik dhe financiar me jashtë. Mes tyre një vend të spikatur zënë edhe ato projekte që synojnë të ndryshojnë mentalitetin e njerëzve që drejtojnë komunitetin, të zgjedhurit e pushtetit lokal.

Hans Alfeld drejton prej katër vitesh projektin për decentralizimin e pushtetit vendor dhe modernizimin e shërbimeve bashkiake. Projekti përfundon ne fund të këtij viti. Ai u financua nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe u konkretizua nga GDZ (GTZ) siç njihet në Shqipëri shoqata gjermane e bashkëpunimit teknik. Hans Alfeld ndihet krenar që mori përsipër kryerjen e një projekti të tille, deri me sot i pari në Shqipëri.

“Kjo është detyra më e rëndësishme në jetën time -thotë ai. Kam qenë për 17 vite kryetar bashkie në Gjermani dhe ndihem i entuziazmuar nga Shqipëria dhe njerëzit e saj shumë të dashur.

Kur pranova këtë detyrë sapo isha zgjedhur për herë të tretë, kryetar bashkie, vazhdon zoti Alfeld. Në Gjermani mandati i kryetarit të bashkisë në disa lande zgjat tetë vjet.”

Duket se Zoti Ahlfeld nuk e pati të vështirë të linte mandatin e tretë të kryebashkiakut në Hauzen, 100 km larg Shtutgardit dhe të vinte në Tiranë.

“Në parim është shumë e thjeshtë, shpjegon ai. Europa nuk mund të jetë pa Shqipëinë dhe Shqipëria nuk mund të jetë pa Europën. Nga mënyra se si m´u paraqit ky projekt nuk ishte gjë tjetër veç të bëja në Shqipëri atë që kisha bërë gjatë gjithe jetës: qeverisjen vendore dhe decentralizimin e saj.”

Duke dhënë disa hollësi për projektin, që tanimë pothuaj ka përfunduar, Hans Alfeld thotë se ai u financua nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik me një shumë prej 8 milion eurosh dhe u shtri në bashkitë e 8 qyteteve: Shkodër, Elbasan, Korçë, Pogradec, Lushnjë, Kuçovë, Berat dhe Maminas.

Projekti mori përsipër që planifikimin urban të qyteteve, çështjet financiare dhe taksat vendore, mirëmbajtjen e sipërfaqjeve të gjelbera, të rrugëve dhe trotuareve, menaxhimin e pronave publike, marrëdhëniet me qytetarët të kryhen sipas modelit gjerman, pra europian. Për këtë qëllim u krye edhe binjakëzimi i qyteteve ku u shtri projekti me qytete gjermane por edhe ndërkufitare. Kucova me Trosingen, Elbasani me Vajlhaim, Shkodra me Dorsden, Pogradeci me Strugen, Ohrin dhe kështu me rradhë.

Hans Alfeld shpjegon se është në proces përfundimtar partneriteti mes Bashkisë së Shkodrës, me Bashkitë e Malit te Zi dhe ato të Kosoves, gjë që do të finalizohet në një takim të afërt që do të zhvillohet në Shkodër.

“Takim është në Shkodër, thotë në shqip ai, me kryetarin e bashkisë së Podgoricës, Ulqinit,Budves. Nga pala shqiptare do të marrin pjesë bashkia e Kukësit, Bajram Currit, Pukës, Shkodrës, si edhe kryetarët e tetë bashkive në Kosovë.”

Rezultatet në qytetet ku u zhvillua projekti janë të dukshme për këdo. Qytetet janë më të pastra, ka një planifikim më të mirë urban, administratë më efikase dhe mbi të gjitha ndërgjegjësim të qytetarëve për të drejtat dhe detyrat e tyre në qeverisjen e qytetit. Por në rradhë të parë rezultati më kuptimplotë i këtij projekti është një mentalitet i ri për qeverisjen vendore i cili përbën një model për gjithë vendin.

“Dua të them – thekson Hans Alfeld, që autonomia vendore është në rradhe të pare çështje mentaliteti. Në landet e ish Republikës Demokratike të Gjermanise kemi patur raste të njohimn pasojat e një pushteti vendor të centralizuar si në Shqipëri. Pra e njohim situatën. Gjatë këtyre katër viteve na u desh t´i ndryshonim mendjet e njerëzve. Pushteti lokal në Berat e di më mirë se pushteti qendror në Tiranë se çfarë nevojash ka qyteti. Më përpara Tirana jepte urdhëra, tani bashkitë që u përfshinë në këtë projekt mund të vendosin vetë dhe njëherazi të mbajnë përgjegjësi për vendimet që marrin.

Hap pas hapi, pak nga pak, thotë Alfeld, qeveria qendrore duhet t´i delegojë detyra të tjera pushtetit vendor. Pas kater vitesh bashkite dinë se si t´i mbrojne interesat e tyre përballë pushtetit qendror. Shoqata e Bashkive,do të transmetojë këtë përvojë edhe në të 58 bashkitë e tjera që ka Shqipëria. Me anë të një mentaliteti të ri. Dhe padyshim punë, thotë në shqip Hans Alfeld, shprehjen e njohur për çdo shqiptar. “Punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë”.

ECIKS / DWelle