Fundi i rrymës së lirë

Privatizimi i KEK-ut nuk i zgjidhë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet energjetika. Madje, nuk duhet shpresuar as për tarifa të ulëta. Qeveria edhe më tutje do të ketë mjaft punë, shkruan Gazeta Express

Prishtinë, 10 dhjetor 2008 – Zyrtarë të USAID-it porosisin qeverinë që të mos shpresojë në përfundimin e problemeve në energjetikë me rastin e privatizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ajo së pari duhet ta fitojë përkrahjen e Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë proces. Në një tryezë të organizuar të mërkurën në Prishtinë, ata rikujtuan se Kosova nuk do të fitojë shumë para nga privatizimi i rrjetit të distribucionit, por as të dyja shërbimet përnjëherë – tarifat e ulëta edhe energji të pandërprerë.

“Ju dëshironi të keni energji elektrike me tarifat e duhura. Por nuk mund të keni shërbime të kënaqshme edhe tarifa të ulëta”, tha konsulenti nga USAID-i, Michael Jake Delphia.

Ai mori si shembull privatizimin e një pjese të aseteve në Armeni, me ç’rast tarifat nuk janë ngritur, por cilësia e shërbimeve ka mbetur e dobët. “Nëse mendoni që një investitor do të vijë dhe do të zgjidhë të gjitha problemet, ju mund të dëshpëroheni” tha Delphia.
Për të shitur një aset të rëndësishëm të shtetit, siç është distribucioni, qeveria duhet të bëjë jo vetëm një deklaratë të fuqishme për politikat shtetërore, por edhe të hartojë një kornizë stabile ligjore, metodologji të qarta dhe transparente për përcaktimin dhe përshtatjen e tarifave të ndryshme të energjisë elektrike. Njëkohësisht të sigurojë që asetet e kësaj ndërmarrjeje publike janë të regjistruara si pjesë e kompanisë, u tha në këtë tryezë.
Ambasadorja amerikane në Kosovë Tina Kaidanov, tha se Qeveria e SHBA-së është e gatshme të përkrahë edhe më tej Kosovën. Por ajo u shpreh e habitur me cilësinë e furnizimit me energji elektrike, përkundër tërë sasisë së thëngjillit që ka në Kosovë.

“Kosova ka ndërprerje të vazhdueshme të rrymës elektrike, e cila ndikon në kualitetin e jetës së qytetarëve. Një trend i tillë nuk duhet të vazhdojë, sidomos kur Kosova ka mjaft linjit”.

Energjia e prodhuar në një mënyrë të qëndrueshme për ambientin është esenciale për Kosovën, theksoi ambasadorja amerikane. Sipas saj, edhe projekti i privatizimit të rrjetit edhe ai i ndërtimit të kapaciteteve të reja janë të rëndësishme për të përmbushur qind për qind nevojat për furnizim me rrymë. Prandaj këto dy çështje duhet të kryhen shpejt.

Për ambasadoren e SHBA-ve, KEK-u nuk duhet të jetë i varur nga subvencionimet e qeverisë të cilat janë më të nevojshme për shëndetësinë, arsimit dhe infrastrukturës.
Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se privatizimi është i dobishëm për furnizim të qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe për një zhvillim ekonomik të Kosovës.
“Zhvillimi i sektorit të energjetikës do të ndikojë në zbutjen e varfërisë, tërheqjen e investimeve të jashtme, si dhe në ngritjen e efiçiencës financiare të tregut të energjisë”.

Ai u shpreh se projektet, si privatizimi i rrjetit dhe “Kosova e Re” do ta kenë përkrahjen e tij.
Ministri i ekonomisë, Ahmet Shala, beson në punën e Komitetit të Privatizimit, ndërsa paralajmëroi se deri në janar do të zgjidhen këshilltarët e transaksioneve.

Tinka Kurti, Gazeta Express