Bujqësia në Kosovë zhvillohet në mënyrë spontane. Dikur një banor mesatarisht kishte 18 ari tokë bujqësore, tash ka dy ari më pak. Për shkak të trajtimit të keq që i bëhet kësaj dege dhe fermerëve, do të vazhdojë varshmëria nga arat dhe drithërat e Vojvodinës dhe të Hungarisë, shkruan e përditshmja Express
Prishtinë, 11 dhjetor 2008 – Kosova mesatarisht për çdo vit humb një mijë hektarë tokë bujqësore. Dhjetëra fermerë braktisin zanatin e vjetër, pasi, siç thonë ata, “s’ka hesap me punu tokën” dhe arat i kthejnë në godina betoni.
Ismet Bojku, menaxher i qumështores “Vita”, i tërheq vërejtjen Qeverisë së Kosovës se po e “merr në qafë” sektorin e bujqësisë me politikat që po udhëheq. “Vita” ka gjasa të mbetet pa qumësht nga fermerët lokalë. “Shumë fermerë janë duke menduar t’i shesin gjedhët, për shkak të çmimit të ulët të qumështit”, thekson Bojku.
Vetëm subvencionimi i fermerëve do të kryente punë. Sikur qeveria t’ua paguante një pjesë të shpenzimeve fermerëve do të përfitonin të gjithë, përfshirë edhe konsumatorët.
“Kemi hasur në vesh të shurdhër. Askush nuk dëgjon hallet tona”, thotë Bojku, duke shpjeguar se kërkesa për subvencionim vite me radhë refuzohet nga Ministria e Bujqësisë.
Anëtarësimi i Kosovës në CEFTA që liberalizon tregun me vendet anëtare, ka vështirësuar edhe më tepër prodhimtarinë bujqësore. Fermerët e vegjël të Kosovës nuk janë të gatshëm për konkurrencë me gjigantët nga rajoni.
Ndërkaq, degradimi i vazhdueshëm i tokës për shkak të pakujdesisë institucionale ka bërë që nga 18 ari tokë bujqësore, sa kishte para një dekade Kosova për kokë banori, sot të bie në 16 ari.
“Sektori i bujqësisë është pa përkujdesje institucionale. Ai zhvillohet në mënyrë spontane”, pohon kryetari i Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës, Lulzim Zeneli.
Si pasojë e kësaj, ai thotë se produktet vendëse nuk janë konkurrente në tregun vendor, e lëre më në atë ndërkombëtar. Prodhuesi kosovar punon sa për të mbijetuar.
Ai përsërit se shumë është folur për subvencione në bujqësi, ashtu siç bëjnë të gjitha shtete e rajonit. Por, qeveria nuk e ka bërë këtë, kurse ministria nuk ka hartuar projekte për zhvillim të bujqësisë, së paku aq sa i lejon buxheti.
“Gjendja po përkeqësohet dhe qeveria vuan nga mungesa e vizionit”, thekson Zeneli.
Master plani bujqësor 2007/2013, i hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, me të cilin parashihet rritja e rendimenteve dhe sipërfaqeve, duke zvogëluar numrin e atyre që merren me bujqësi, as që ka filluar të zbatohet.
Të gjitha sqarimet për gjendjen e krijuar në sektorin e bujqësisë pritet t’i japë para deputetëve ministri i bujqësisë, Idriz Vehapi. Ai do t’u sqarojë deputetëve përse buxheti i kësaj ministrie është vetëm 12.1 milionë euro dhe nuk ka subvencionim të fermerëve.
Vehapi ka pohuar se është i gatshëm që çdo hektar tokë që punohet të subvencionojë me 100 euro, porse një hap i tillë është bllokuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në këto dy institucione financiare dhe sipas ministrit Vehapi, duhet t’i zbatojë rekomandimet e tyre.
“Jemi të kushtëzuar, edhe pse ka nevojë të stimulohen fermerët”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, kjo ministri përballet edhe me sfidën e parcializimit të pronave në shumë ngastra kadastrale dhe privatizimin e pronës shoqërore, e cila shpeshherë shkatërrohet nga blerësit e rinj.
Zëdhënësi i MB-së, Jusuf Salihu, kërkon që blerësit e tokave që kanë qenë në pronësi shoqërore të respektojnë marrëveshjen që në asnjë mënyrë të mos bëhet tjetërsimi i saj në tokë ndërtimore.
Për të krijuar një rend janë hartuar strategji të reja në përputhje me Ligjin mbi tokat bujqësore, por rezultatet mund të duken vetën në periudhat vijuese. Atëherë ndoshta mund të ndalet trendi i ndërtimeve pa leje në tokat bujqësore, kurse Kosova të zvogëlojë varshmërinë nga arat dhe drithërat e Vojvodinës e të Hungarisë.
Zekirja Shabani, Gazeta Express