Francezët fitojnë konkursin për qendrën e Tiranës

TIRANE (25 Korrik) – Qendra e metropolit shqiptar është në duar të francezëve. Firma projektuese “Architecture Studio”, u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar për planin rregullues të qendrës së Tiranës. Në këtë garë pretendentë ishin edhe një studio holandeze e gjermane. Pas një dite të gjatë, juria e kryesuar nga kryeministri Nano, rreth orës 20.30 vendosi fituesin e këtij konkursi. Anëtarët e jurisë u shprehën se përzgjedhja e studios më të mirë ishte mjaft e vështirë, por, sipas tyre, shumë objektive. Kryetari i saj Fatos Nano bëri shpalljen publike të studios franceze si fituese e këtij konkursi ndërkombëtar, ndërsa shtoi dhe sugjerimet e jurisë e cila përbëhej nga arkitektë e urbanistë me famë. Projekti i paraqitur nga “Architecture Studio” është i shtrirë në tri dimensione në zgjerimin e hapësirës së gjelbër, në strukturën natyrore të Tiranës dhe në përforcimin e sistemit të trafikut. Bulevardi kryesor i Tiranës në projektin francez parashikohet të jetë i zgjeruar me shumë gjelbërim dhe një vijë uji në mes, ndërsa për pazarin e Tiranës ata kanë menduar krijimin e një godine tregtare multifunksionale. Në sheshin historik francezët kanë menduar ta ruajnë dhe lulishten pas “Skënderbeut” dhe të ngrejnë një hapësirë të gjelbër me pemë që ndryshojnë ngjyrë sipas stinëve. Përfaqsuesja e “Architecture Studio” u shpreh se pozicioni i Xhamisë karakteristike në qendër do të përforcohet. Ndërsa lidhur me Stacionin e Trenit ajo u shpreh se parashikon të ndryshojë vendndodhjen e tij për të krijuar një shesh të ri me ndërtesa shumëfunksionale. “Anash këtij sheshi parashikojmë ngritjen e stacioneve të autobusëve, ndërsa pas Stacionit të Trenit kemi ruajtur pamjen e fshatit të kësaj zone. Këtu kemi hapësira të reja urbane, vila apo blloqe banimi dhe anash hapësirë të gjelbër”, tha Ayache. Një ide tjetër e arkitektëve francezë është rritja e nivelit të lumit të Lanës dhe ndërtime jo shumëkatëshe për të ruajtur pamjen pastorale të kësaj zone urbane. Realizimi i këtij konkursi ndërkombëtar është i pari i këtij lloji në Shqipëri, e, siç u shpreh kryebashkiaku Rama, ka qenë një sfidë e vështirë, por që përfundoi me sukses. Në krah të Bashkisë së Tiranës ka qëndruar qeveria gjermane, por në afrimin e të huajve ndihmoi edhe imazhi i përmirësuar i kryeqytetit këto tri vitet e fundit. Brenda këtij viti parashikohet edhe përfundimi në detaje i projektit, ndërsa fazat e zbatimit të tij do të përballohen nga qeveria shqiptare. Roueida Ayache ka sqaruar për Gazetën Shqiptare përgjegjësinë e studios së arkitektëve për këtë projekt të madh. Cilat janë prioritetet e projektit tuaj? Qëllimi ynë kryesor është përmirësimi dhe lehtësimi i jetës së qytetarëve në metropolin shqiptar. Krijimi i hapësirave të gjelbërta dhe shtimi i tyre, kthimi i sheshit “Skënderbej” në një zonë vetëm për kalimtarët, lehtësimi i trafikut dhe përmirësimi i transportit janë prioritetet tona. Po sugjerimet e bëra nga juria do i merrni parasysh? Sigurisht që ato janë shumë të vlefshme për ne. Megjithatë, deri tani ne kemi punuar vetëm me ide, pasi ky që paraqitëm është një plan konceptual ndërsa pas kësaj bashkë me Bashkinë e Tiranës që është edhe partneri ynë do të bëjmë të mundur realizimin e një qendre model. Një impresion tuajin për Tiranën? Tirana është një qytet mjaft stimulues që frymëzon arkitektët dhe ku mund të jetohet shumë mirë. Si ndjeheni ju pas vlerësimit që morët? Ne kemi realizuar mjaft projekte të mëdha, por ky është një projekt akoma më i madh pasi bën fjalë për qendrën e një metropoli. E kjo na bën që edhe përgjegjësia jonë kundrejt këtij projekti gjigant të jetë absolutisht më e madhe. Projekti i paraqitur nga “Architecture Studio” është i shtrirë në tri dimensione. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama u shpreh entuziast duke e quajtur këtë “ngjarje historike për kryeqytetin”. Ai falënderoi pjesëmarrjen e dy firmave të tjera që morën pjesë në këtë konkurrim, firmën holandeze dhe atë gjermane.”Falënderoj në mënyrë të veçantë dy firmat e tjera të cilat treguan pasion për këtë konkurs që vuri në siklet jurinë për zgjedhjen e studios më të mirë. Isha vetë i pranishëm në këtë debat, deri në përzgjedhjen e firmës që do të tài japë jetë maketit për qendrën e Tiranës. E çka presin të gjithë është të shikojnë një Tiranë ndryshe, një Tiranë europiane”, tha kryebashkiaku Rama. Duke falënderuar jurinë që pranoi ftesën për të mbërritur në Tiranë, ai tha se ata do të kenë mundësi të rikthehen sërish në kryeqytet për të parë ndryshimet. Kryebashkiaku Rama, që është edhe inisiatori i konkursit ndërkombëtar për qendrën e Tiranës, u shpreh se në fund të këtij viti qytetarët do të kenë një maket përfundimtar i cili më pas do të miratohet në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë. Puna për realizimin e projektit ka nisur që sot.

ECIKS / Gazeta Shqiptare