FMN: „Merrni masa të forta në qeverisje“

Tiranë, 26 janar 2004 – Fondi Monetar Ndërkombëtar vendos kushte të rënda për qeverinë shqiptare. Reduktimi i ekonomisë informale, rritja e të ardhurave tatimore, zgjerimi i barrës fiskale, marrja e masave të forta në qeverisje, marrja e masave të forta në gjyqësor dhe në forcimin e shtetit ligjor, rregullimi i detyrimeve kritike financiare që ka shteti, si dhe miradministrimi i borxheve janë disa nga kushtet e vendosura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për qeverinë shqiptare. Qeveria shqiptare deri një muaj më parë nuk kishte plotësuar një nga kriteret e kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili mund të sillte edhe mosnënshkrimin e marrëveshjes me qeverinë shqiptare. “Duke parë angazhimin e madh të autoriteteve ndaj programit dhe paketës së politikave, bordi ekzekutiv aprovoi mosobservimin për mosplotësimin e një kriteri performance”, -është shprehur Agustin Carstens, zëvendësdrejtori ekzekutiv dhe kryetari i radhës i bordit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Qeveria shqiptare nuk ishte në gjendje që deri në 30 shtator të shlyente të gjitha borxhet e ndërmarrjeve publike, duke e plotësuar këtë kriter vetëm në muajin dhjetor. Megjithatë, Carstens ka pohuar se meqë ky kriter u përmbush dhe përfundoi rishikimi i tretë i marrëveshjes dhe rishikimi i pozicionit financiar, marrëveshja u firmos. “Për këtë arsye, përmirësimi i mobilizimit të të ardhurave është një politikë prioritare, që kërkon jo vetëm përmirësime në administrimin e taksave dhe në hartimin e politikës së taksave, por dhe veprime për të përmirësuar qeverisjen dhe klimën e biznesit, në mënyrë që të reduktohet madhësia e ekonomisë informale dhe të zgjerohet baza e taksave”, -Carstens. Sipas tij, programi përmban masa të rëndësishme për administrimin e taksave, të cilat në rast se ndërmerren bashkarisht, pritet që të përmirësojnë eficencën, barazinë dhe volumin e taksave të mbledhura. “Problemet e qeverisjes po adresohen me anë të një sërë masash, përfshirë këtu reformën në shërbimin civil, përmirësimin e kapaciteteve për të luftuar pastrimin e parave, si dhe përpjekjet e koordinuara për të hequr pengesat administrative ndaj investimeve”, -tha Carstens. Ai sqaron se autoritetet duhet të marrin masa të forta edhe në çështje të tjera të qeverisjes, si reforma gjyqësore dhe forcimi i shtetit ligjor, si dhe rregullimi i detyrimeve financiare shtetërore. Bordi Ekzekutiv i FMN-së në kuadër të marrëveshjeje trevjeçare PRGF-së aprovoi lëvrimin e rreth 5.9 milionë dollarë amerikanë për Shqipërinë. Deri tani, Shqipëria ka tërhequr nga Fondi Monetar Ndërkombëtar rreth 17.8 milionë dollarë amerikanë.

ECIKS / Shekulli