…fluturon…fluturon…: 'Kosova Airlines' !

PRISHTINË, 06 DHJETOR 2003 – Sot ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit së bashku me kompaninë e cila ka fituar tenderin, Hamburg Internacional, do të bëjnë inaugurimin e fluturimit të parë të Aviokompanisë së Kosovës.

Në ceremoninë e rastit pritet të marrin pjesë presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, kryeadministratori Harri Holkeri dhe zëvendësi i tij Çarls Brajshou, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Nexhat Daci, Kryeministri Bajram Rexhepi dhe përfaqësues të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Në një njoftim të kësaj Ministrie thuhet se themelimi i kësaj kompanie të parë ajrore kosovare ka rëndësi të veçantë për popullin dhe përgjithësisht për Kosovën, pasi me themelimin e saj do të hapen vija të reja ajrore me Evropën dhe botën, do të bëhet trajnimi i kuadrove kosovare në fushën e Aviacionit Civil, do të ngritet cilësia e punës dhe rënia e çmimit të biletave, e çka është me rëndësi do të ketë përfitim Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

Prerjen e shiritit të fluturimit do ta bëjnë ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Zef Morina dhe kryesuesi i Shtyllës IV të UNMIK-ut Nikolaus Lambsdorf dhe përfaqësuesit e kompanisë që ka fituar tenderin.

ECIKS / Kosovapress