Tiranë, 08 dhjetor 2003 – Tregtia e jashtme për 9 mujorin pëson një deficit prej më shumë se 1 miliardë dollarësh. Sipas të dhënave janë eksportuar prej fillimit të këtij viti 41.202 miliardë lekë mallra, kundrejt
166.533 miliardë lekëve mallra të importuara. Vetëm në shtator deficiti kalon te 14 miliardë lekët.
Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin shtator kanë qenë disi më optimiste përsa i përket nivelit të eksporteve. Instituti i Statistikës INSTAT, në një deklatarë të fundit bëri të ditur se, eksporti mallrave u rrit me 4,7 miliardë leke ose rreth 93 për qind nga 2,4 miliardë lekë që ishte një muaj më parë. Po kështu rritje u vërejt edhe në nivelin e importit, i cili për shtatorin shkoi në 19,2 miliradë lekë nga 16,8 miliardë që ishte gjatë muajit paraardhës. Për periudhën janar -shtator, deficiti tregtar arrin në më shumë se 125 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë USD. Pavarësisht kësaj situate dhe nivelit të përmirësuar të eksporteve deficiti tregtar gjatë muajit shtator arriti në rreth 14.4 miliardë lekë. Treguesit mbi deficitin e tregtisë së jashtme sa vijnë e thellohen nga viti në vit, ndërkohë që janë miratuar disa strategji për uljen ose minimalisht frenimin e këtij treguesi.
Deri në vitin 2005, raporti eksporte/importe synon të jetë në raportet 1 me 2.5 nga 1 me 4 qe eshte aktualisht ka thene Drejtori i Agjencisë së Nxitjes së Eksporteve Neritan Mullai.
Sipas tij, në vitin 2002 është hartuar dhe miratuar nga qeveria strategjia e nxitjes së eksporteve, zbatimi i të cilës do të krijojë një klimë favorizuese për të rritur eksportet e mallrave vendase, krijimin e markave shqiptare në eksporte dhe në përgjithësi krijimin e lehtësirave për firmat që do të eksportojnë. Që prej disa vitesh deficiti tregtar, në vendin tonë ka vazhduar të thellohet.
Megjithëse eksportet kanë pasur rritje ato janë “mbytur” nga importe akoma edhe më të larta. Aktualisht importohen edhe mallra, kur kushtet janë që ato të prodhohen në vend me cilësi të lartë. Në fund të 9-mujorit të këtij viti, deficiti tregtar arriti në 125.331 miliardë lekë. Sipas të dhënave janë eksportuar prej fillimit të këtij viti 41.202 miliardë lekë mallra, kundrejt 166.533 miliardë lekëve mallra të importuara. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian vazhdon të zërë 71.9 për qind. Partneret kryesore tregtare edhe gjatë këtij muaji ishin Italia dhe Greqia. Eksporti me Italinë ishte 75.4 për qind dhe importi 29.6 për qind. Kurse me Greqinë, eksporti ishte 12.9 për qind dhe importi 21.2 për qind.
Eksporti me Austrinë, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Bullgarinë, etj. u rrit, kurse me Britaninë, Francën, Spanjen, Hollandën dhe Turqinë u ul. Importet nga Franca, Gjermania, Britania, Italia, Greqia, etj. u rritën, kurse nga Belgjika, Kroacia, Polonia, Holanda, Hungaria, etj. u ulën.
ECIKS / Korrieri