Finlanda ndihmon bizneset e Prishtinës

Prishtinë, 23 korrik – Ditë më parë, Kuvendi Komunal i Prishtinës në bashkëpunim me KFOR-in finlandez kanë bërë një ofertë për të përkrahur biznesin e posaçërisht bizneset e vogla dhe ato individuale në furnizimin me makina dhe vegla pune, në mënyrë që biznesi të jetë sa më i qëndrueshëm, njofton Sokol Krasniqi, drejtor i Drejtoratit për Ekonomi në Komunën e Prishtinës.

Ky projekt është gjithëpërfshirës si në aspektin territorial, ashtu edhe në atë të strukturës së popullsisë, me qëllim të krijimit të mundësive për punësimin e të rinjve, veçanërisht të femrave përfshirë këtu edhe minoritetet.

Ky projekt i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe i koordinuar me Drejtoratin për Ekonomi të Komunës së Prishtinës, bën të shpresohet se ky fillim do të jetë i mbarë në përkrahje të biznesit. Komuna e Prishtinës në të ardhmen do të përpiqet që në forma të ndryshme dhe në bashkëpunim me subjektet tjera të interesuara, si dhe të burimeve vetanake të bëj hapa drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe të zvogëlimit të papunësisë.
Komuna e Prishtinës njofton të interesuarit që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë në zyrat e Drejtoratit për Ekonomi të KK të Prishtinës, në mënyrë që mjetet e ndara për këtë projekt të shfrytëzohen për destinimin e paraparë.

Afati i fundit i paraqitjes së projekteve për aplikuesit është data 31 korrik 2004.

ECIKS / QIK