Dy miniera të Trepçës të gatshme për prodhim në tetor

Mitrovicë, 24 korrik 2004 – Tash është koha që t’a kthejmë afarizmin në Trepçë, u tha nga menaxherët e këtij kompleksi të cilët patën dje një takim me gazetarë. Katër miniera janë në fazën përgatitore për rifillimin e prodhimit, dy prej të cilave do të jenë të gatshme gjatë këtij viti.

Dy miniera me flotacion në Albanik (Leposaviç) pritet të jenë të gatshme për prodhim në tetor, përkatësisht në nëntor të këtij viti. Niveli i prodhimit do të jetë i ulët në fillim dhe gradualisht prodhimi do të ngritet në 100 mijë tonelata në vit për secilën minierë. Me implementimin e këtij projekti do të krijohen 500 vende të reja të punës. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe projekte të tjera që do të krijojnë shumë vende të reja të punës. Menaxheri ndërkombëtar, Çarls Braun theksoi se do u jepet rëndësi kuadrove që mund të japin rezultate në punë dhe se të gjithë punëtorët mbi 50 vjeç, kanë të drejtë të shkojnë në pension. Menaxherët e Trepçës, ndërkombëtari Çarls Braun dhe vendori Nazmi Mikullovci thanë se synimi kryesor i tyre është ruajtja dhe ngritja e vlerës së pasurive të Trepçës. Kjo mund të arrihet përmes riinxhinjeringut dhe ristrukturimit të kapaciteteve të cilat kanë potencial, që mund të sigurojë edhe reduktimin e varshmërisë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës që sillet rreth 7.5 milionë euro në vit.

ECIKS / RTK