BE fillon programin për standardet ekonomike

Prishtinë, 22 korrik 2004 – “Që nga sot bashkësia europiane fillon programin e realizimit të standardeve ekonomike për Kosovën”, thotë Monik De Grut zëdhënëse e Bashkësisë Europiane. Përderisa OSBE-ja shprehet optimiste se serbët e Kosovës, respektivisht Koalicioni “Kthimi” do të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit, u tha sot në mbledhjen e rregullt me gazetarë të UNMIK-ut.

Cilat janë ato standarde ekonomike për të cilat do të diskutohet nesër, kur problemi i rrymës në Kosovë është rikthyer si në kohën e pasluftës? A nuk është rryma faktori kryesor i ekonomisë? – ishin pyetjet e gazetarëve drejtuar zëdhënëses së Bashkimit Europian, Monik De Groot, e cila pranoi se rryma është e domosdoshme por hedhi fajin në ish-strukturat udhëheqëse të KEK-ut si dhe tek personat të cilët nuk e paguajnë rrymën.

“E dimë se energjia është pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit dhe plotësimit të këtij standardi, si dhe gjendja momentale nuk është shumë shpresëdhënse. Por, për momentin ne jemi duke punuar në të dhe po mundohemi që ta gjejmë se tek kush është përgjegjësia, përderisa dihet mirë që shumica e popullatës nuk po i paguajnë faturat e energjisë elektrike. Pra, ata e kanë përgjegjësinë më të madhe dhe pagesa e faturave është një nga faktorët për përmbushjen e këtij standardi” tha De Grut.

Ndërkaq, zëdhënësja e UNMIK-ut, Metild Heneke tha se është shpresdhënëse se në disa javët e fundit serbët marrin pjesë në jetën politike në Kosovë, duke shtuar se UNMIK-u është optimist se ata do të marrin pjesë por “ata janë duke marrur pjesë në grupin këshilldhënës për siguri dhe e kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët. Për këtë ne jemi optimist për të ardhmen por ende jemi në negociata të vazhdueshme me palën serbe dhe shpresojmë se ata do të marrin pjesë në zgjedhje”.

Deri më tani është regjistruar vetëm një nismë qytetare e serbëve por pritet që edhe Koalicioni “Kthimi” të marrë pjesë në zgjedhjet e tetorit, u shpreh zëdhënësja e UNMIK-ut, Metild Heneke.

ECIKS / RTK