Fillojnë punimet përfundimtare në aeroportin e Kukësit

Kukës, 22 gusht 2006 – Fillon faza përmbyllëse e punimeve në aeroportin e Kukësit, ku përfshihet instalimin e pajisjeve të navigimit (kontrollit) në këtë aeroport.

Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët kanë dhuruar 16 milionë dollarë për ndërtimin e këtij aeroporti, e kanë çuar “nderën” deri në fund, duke akorduar edhe 5 milionë dollarë të tjerë për pajisjet e navigimit të këtij aeroporti. Një kompani e specializuar nga Malajzia ka fituar tenderin për blerjen e këtyre pajisjeve, të cilat janë porositur në Kanada.

“Punimet në aeroportin e Kukësit janë në fazën përfundimtare. Kjo fazë konsiston me instalimin e pajisjeve të navigimit. Aktualisht po kryhen veprimet përgatitore si hapja e kanaleve për shtrirjen e kabllove, betonimi i bazamenteve ku do të vendosen radarët etj. Me datë 17 shtator është llogaritur që të fillojë instalimi i pajisjeve nga kompania malajziane”, thotë për “Shekullin”, Saimir Shehu, përfaqësues i kompanisë “Mak Albania”, e cila ka ndërtuar aeroportin e Kukësit.

Përfundimi i instalimit të aparaturave do të pasohet me fillimin e funksionimit të aeroportit të Kukësit. Ndërkaq, bëhet e ditur se Komisioni Teknik i Aeroportit të Kukësit nga Emiratet e Bashkuara i ka dhënë përfundimisht “OK”, firmës “MAK ALBANIA” për punimet e ndërtimit të aeroportit të Kukësit që në fillim të muajit maj të këtij viti. Ky veprim i Komisionit Teknik të Aeroportit të Kukësit nga EBA-ja do të pasojë me marrjen në dorëzim të këtij aeroporti nga qeveria e Shqipërisë, konkretisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil.

Punimet për ndërtimin e aeroportit të Kukësit kanë filluar me 10 maj të vitit 2003 dhe kanë përfunduar në fund të tetorit të vitit 2005. Projekti i këtij aeroporti kap vlerën e 16 milion dollarëve dhe është financuar falas nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Zbatimi i projektit është realizuar nga firma e njohur kuvajtiane “AL-KHARAFI”, me përfaqësuesin e saj në Shqipëri “MAK-ALBANIA”.

Sipas projektit dhe standardeve ndërkombëtare, aeroporti i Kukësit është i kategorisë C, me gjatësi të pistës 1 900 metër dhe gjerësi 70 metër. Aeroporti përbëhet nga terminali i pasagjerëve, kulla e drejtimit, pistë ulje e ngritje, brezi anësor jeshil i pistës, rrugët lidhëse, vendqëndrimi i avionëve për 6-7 avionë të tipave të ndryshëm, sistemi i ndriçimit, sistemi i ndriçimit të ulje ngritjeve, rrethimi i aeroportit me një gjatësi afërsisht 5 000 metra, si dhe vendparkimi i mjeteve private.

Aeroporti i Kukësit ndodhet në jug të këtij qyteti, në vendin e quajtur Fusha e Meteorit në Shtiqën, pranë fshati me të njëjtin emër, rreth 3 kilometër larg nga Kukësi, në lartësinë 353 metër mbi nivelin e detit.

Historiku
Gjatë krizës së Kosovës në pranverën e vitit 1999, fusha e aeroportit të Kukësit e ndërtuar që në kohën e mbretit Zog dhe e zgjeruar më pas edhe nga italianët pas vitit 1939, u aktivizua pasi u kryen punime nga forcat aleate të NATO-s dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara. Në saje të këtyre punimeve, asokohe është bërë e mundur ulja e avionëve të cilët sillnin ndihma për refugjatët kosovarë. Pas përfundimit të krizës kosovare, në këtë aeroport janë ulur avionë të cilët transportonin refugjatë kosovarë nga Korça e Maqedonia, ku më pas transportoheshin me autobusë të UNHCR-së për në Kosovë. Më pas qeveria e EBA-së dhe presidenti i ndjerë i këtij vendi, sheiku Zayed Bin Sulltan, morën përsipër që aeroporti i Kukësit të përfundojë dhe ai të jetë një aeroport internacional civil. Aeroporti i Kukësit është vlerësuar si porta e hyrje-daljes dhe lidhjes së Shqipërisë me pjesën tjetër të kombit matanë kufirit, me Kosovën.

Ligjet e miratuara nga parlamenti i Shqipërisë në fund të vitit 2004, bëjnë që aeroporti i Kukësit të privohet nga fluturimet ndërkombëtare. Në nëntor të vitit 2004, qeveria e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë gjermano-amerikane për dhënien me koncesion të aeroportit të Rinasit. Një ndër pikat e marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë gjermane “Tirana Airport Partners”, thuhet se të gjitha fluturimet ndërkombëtare për një periudhë 20-vjeçare do te realizohen vetëm në aeroportin e Rinasit. Kjo pikë e kësaj marrëveshjeje nxjerr jashtë loje aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, për ndërtimin e të cilit janë dhënë 16 milionë dollarë falas nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Por me ndryshimin e raporteve politike në Shqipëri u ngjallën shpresat se do të amendohet ligji për “Dhënien me koncesion” të aeroportit të Rinasit.

ECIKS / Shekulli