Grandi Pezull

Prishtinë, 22 gusht 2006 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) i nënshtrohet vendimit të Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të shitjes së Hotelit Grand.

Deklarimet para disa ditëve të zyrtarëve të lartë të AKM se gjithçka ka përfunduar sa i përket privatizimit të Grandit kanë dalë të pavërteta. Kështu thuhet në një njoftim të lëshuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në lidhje me vendimin e përkohshëm të Odës së Veçantë për pezullimin e shitjes së Hotelit Grand.

Ndryshe, ish-shefi i Shtyllës IV dhe tani shefi i ri i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka pranuar ditë më parë, gjatë një kokteji me gazetarë se ka nënshkruar kontratën për privatizimin e Hotelit Grand, por se ajo ende nuk i është dërguar fituesit Union Commerce, ngase pret vendimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme.

Në njoftimin e fundit të lëshuar nga AKM, thuhet se kjo agjenci është duke punuar me përkushtim në mënyrë që të tejkalohet kjo periudhë e vështirë kalimtare nëpër të cilën po kalojnë punëtorët, menaxhmenti dhe ofertuesit e Hotelit Grand.

“Stafi i AKM-së është duke punuar me përkushtim që Odës së Veçantë t’i ofrojë të gjitha informatat e kërkuara, për t’i mundësuar asaj të marrë vendim të shpejtë dhe të drejtë, në mënyrë që sa më shpejtë të përfundojë kjo periudhë e vështirë kalimtare nëpër të cilën po kalojnë punëtorët, menaxhmenti dhe ofertuesit e Hotelit Grand”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, pasi që Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës të marrë vendimin përfundimtar, Bordi i AKM-së, menaxhmenti dhe stafi do të angazhohen në zbatimin sa më të shpejtë të atij vendimi, në mënyrë që të hapet rruga për investime të reja në Grand Hotel.

Në anën tjetër, për rreth 4 muaj, Grand Group, udhëheqës i së cilit është Zekë Çeku, ish-drejtor i Grandit, kërkon nga AKM-ja që të mos e nënshkruajë kontratën e shitjes së Hotelit Grand në Prishtinë, para përfundimit të procedurës gjyqësore.

Grand Group konsideron se gjatë tërë procesit të privatizimit të Hotelit Grand ka pasur parregullsi të mëdha dhe kjo çështje ende është e hapur në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Ne kemi bërë shumë ankesa nëpër gjykatat tona, kemi dërguar letra instancave vendore dhe ndërkombëtare dhe i kemi lajmëruar për parregullsi gjatë procesit të privatizimit të Hotelit Grand. Tashti nuk na ka mbetur tjetër pos t’i drejtohemi New Yorkut për shkeljet që po i bënë AKM në këtë proces”, ka deklaruar Zekë Çeku, konkurrent për blerjen e Hotelit Grand.

Zekë Çeku mendon se parregullsitë në procesin e privatizimit të Grandit kanë qenë shumë të mëdha. Pa dashur të thellohet në ato, ai përmend vonesat dhe shtyrjet e panumërta të pagesës së mjeteve për blerjen e Grandit nga kompania fituese, Silcapor.

“Afati i fundit për pagesën e mjeteve ka qenë 24 prilli i këtij viti ndërsa tani jemi në mes të muajit gusht dhe kjo vonesë lenë të kuptohet se ka pasur manipulime nga ana e AKM të cilat sigurisht se shkojnë në dëm të procesit të privatizimit të Grandit por edhe në tërë procesin të privatizimit në Kosovë”, tha Çeku për Express.

Kompania Silcapor është shpallur fituese e Hotelit Grand. Oferta e tyre është shpallur më e mira nga AKM, pasi nga gara për privatizimin e këtij hoteli ishte tërhequr konsorciumi kosovar-maqedonas Makos, me arsyetimin se është ndier i kërcënuar.

Kompania Silcapor, muaj më parë, është shpallur fituese e përkohshme e tenderit për privatizimin e Hotelit “Grand”, pasi ka ofruar një çmim prej 8.1 milionë eurosh, mbi 20 milionë investime dhe punësimin e 570 punëtorëve. Për pagesën e kësaj shume të mjeteve, kompaninë Silcapor e ka ndihmuar edhe Raiffeisen Bank.

Gazeta Express