Energjetika tani me paketë ligjesh

Prishtinë, 10 maj 2004 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë aprovuar gjatë sesionit plenar një paketë ligjesh për energjetikën, që konsiderohen një bazë e fortë ligjore për sistemin energjetik në Kosovë, kjo në pajtim me Marrëveshjen e Athinës të vitit 2002. Në kuadër të kësaj pakete ligjesh përfshihen ligji për energjinë elektrike, ligji për rregullatorin e energjisë dhe ligji për njësitë matëse. Këto ligje janë zotime të marra që nga Marrëveshja e Athinës e tetorit të vitit 2002 e cila parashikon liberalizimin e tregut të energjisë në Evropën Juglindore. Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjitha vendet e rajonit duhet të krijojnë autoritetet e pavarura të rregullatorit energjetik dhe duhet të heqin të gjitha pengesat e transmisionit të rrymës, dipeçingut, eksportit dhe importit. Ligji për energjinë, siç është thënë, krijon kushte për zhvillimin e tregut bashkëkohor të energjisë dhe premton investime në këtë sektor. “Këto ligje ndikojnë në furnizimin më efikas me energji, stimulojnë shfrytëzimin e energjisë regjeneruese e po ashtu e rregullojnë atë”, – tha Bajrush Xhemaili, kryesues i Komisionit për Tregti dhe Industri në Kuvend. Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka kompetenca të plota për të nxjerrë licensa, rregullimin e çmimeve, si dhe metodologjinë për rregullimin e shërbimeve energjetike. Ajo do të udhëhiqet nga pesë anëtarë, të cilët do të propozohen nga qeveria dhe do të emërohen nga Kuvendi.

ECKS / Biznesi