Prishtinë, 11 maj 2004 – Komisioneri i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Kris Paten, pas një takimi me kryeministrin Bajram Rexhepin vlerësoi si një start të mirë atë se çka ka parë. Ai pas takimit theksoi se rindërtimet e dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit janë vullnet i mirë i kosovarëve .
“Ne ishim shumë të brengosur nëse ky start pozitiv do të ecte përpara dhe të sjellë rezultate të kënaqshme. Është shumë e rëndësishme që pas planifikimeve të suksesshme që janë bërë, të arrihen me shpejtësi programet, dhe njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre. Është e rëndësishme që të përndjekurit të kthejnë besimin”, theksoi Paten. “Ne do të jemi të interesuar në reformimin e administratës lokale, që pritet të ndodhë gjatë javëve apo muajve të ardhshëm. Shpresoj se ky debat do të shërbejë që të rrisë besimin e popullatës në të ardhmen, e jo ta zvogëlojë atë. Të gjithë duhet të pranojnë se ky do të jetë një debat dhe se do të ketë shumë kontribute në këtë aspekt. Shpresoj se rezultatet që do të dalin nga ky debat do të plotësojnë objektivat afatmesme dhe afatgjata të të gjithëve”, tha ai.Ndërkaq, kryeministri Rexhepi, tha se Qeveria i ka marrë shumë seriozisht obligimet për riparimin e dëmeve që janë shkaktuar.
ECIKS / RTK