Emigrantët sjellin më pak para në Shqipëri

TIRANE, 19 SHTATOR – Dërgesat e emigrantëve shqiptarë kanë pësuar ulje të ndieshme gjatë 3 viteve të fundit. Specialistë të Bankës së Shqipërisë kanë vënë alarmin për këtë fenomen, duke deklaruar se dërgesat e emigrantëve do të vijnë gjithnjë në ulje. Në një studim ata kanë deklaruar se, në ndryshim me periudhën e tranzicionit, dërgesat e emgriantëve kanë ardhur gjithmonë në rritjte, duke përbërë rreth 22 për qind të prodhimit të brendshëm. Por ky ritëm ka marrë drejtimin e kundërt pas vitit 2000. Sipas të dhënave zyrtare, në 2001-shin dërgesat e emgrantëve kanë filluar të pësojnë ulje të ndieshme. Duket se emigrantët shqiptarë së bashku me familjet e tyre kanë filluar ta mendojnë të ardhmen e tyre në emigracion. Tashmë ata i kanë depozituar kursimet e tyre në bankat e vendeve ku ata jetojnë. Pas shumë vitesh emigracion, shqiptarët emigrantë kanë arrritur në momentin kryesor kur duhet të vendosin nëse do të kthehen në vendin e tyre apo do të jetojnë në shtetet e huaja. Sipas studimit, në të dy rastet flukset e dërgesave janë të destinuara të shterojnë ose të pakësohen. Specialistët e ekonomisë nuk kanë menduar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, në rast se dërgesat e emigrantëve do të shterin. Çdo vit, këto të fundit parashikohet të mbulojnë rreth 60 për qind të deficitit tregtar dhe nuk dihet se si mund të mbulohet ky deficit në rast se nuk do të ekzistojnë më të ardhurat nga emigrantët.

ECIKS / Gazeta Shqiptare