Përkundër dëmit të madh që mos-ratifikimi i marrëveshjes për tregti preferenciale në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian i ka shkaktuar eksporteve kosovare, ato megjithatë janë rritur dukshëm. Vlera e eksporteve të Kosovës gjatë vitit 2010 ka qenë 294 milionë e 31 mijë euro. Nëse krahasohen me dhjetorin e vitit 2009, ka pasur një rritje të eksporteve për 55.1% dhe 6% të importeve. Kjo është shenjë e mirë se prodhimet kosovare po bëhen gjithnjë e më shumë konkurrente në treg dhe kanë gjetur konsumatorë edhe jashtë Kosovës.
Metalet bazë mbesin grupi kryesor i eksportit të Kosovës, me 60.3% të totalit. Kurse 13.3% të eksporteve kanë qenë produkte minerale, 5.5% tekstil dhe artikujt tekstili, 4.6% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.5% produkte bimore dhe 3.1% lëkurë dhe artikujt prej tyre.
Gjatë muajit dhjetor, prodhimet “Made in Kosova” kanë lëvizur në drejtim të Italisë (24.9%), Shqipërisë (12.1%), Kinës (9.7%), Zvicrës (9.2%), Gjermanisë (8.2%), Maqedonisë (8.2%), etj. Bashkimi Evropian merr pjesë në eksportin e vendit tonë me (44.4%), kurse në import me (37.8%) – gjë që edhe njëherë potencon rëndësinë e vazhdimit të tregtisë preferenciale për Kosovën.
Largimi, ose së paku zbutja, e barrierave tregtare në mes vendeve fqinjë dhe Kosovës, por edhe vendeve të BE-së, është njëri prej parakushteve për zhvillimin ekonomik në vend. Bllokada e Serbisë ndaj eksporteve i ka shkaktuar dëm ekonomisë së Kosovës, kurse mos-ratifikimi i marrëveshjes për tregti preferenciale me BE-në e ka shumëfishuar këtë dëm. Rrjedhimisht, është e rëndësishme që këto pengesa tregtare të shuhen në mënyrë që Kosova të zhvillohet ekonomikisht.
ECIKS / Koha