Edhe këtë javë nuk do të ketë protesta të punëtorëve

Prishtinë, 24 mars 2004 – Drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thanë të hënën në Prishtinë se protestat e paralajmëruara të punëtorëve nuk do të mbahen as gjatë kësaj jave për shkak të ngjarjeve të javë së kaluar. Bahri Shabani, kryetari i BSPK-së, tha se edhe këtë javë do të vëzhgojnë situatën e krijuar në vend. ”Do të shohim se çka mund të bëjmë rreth riorganizimit të protestës, e cila ishte paraparë për javën e kaluar”, – tha ai.

Vazhdimi i privatizimit sipas procedurave të mëparshme, dorëheqja e drejtoreshës së AKM-së, Mari Fucci, hapja e vendeve të reja të punës, shpallja si të pavlefshme e të gjitha ligjeve diskriminuese pas 22 marsit të vitit 1989 janë disa nga kërkesat kryesore me të cilat do të protestojnë punëtorët kosovarë. Sipas anëtarëve të Këshillit Organizativ të protestës deri më tani UNMIK-u ka bërë një lëvizje të vogël në drejtim të realizimit të kërkesave të punëtorëve, por jo edhe aq sa ta ndalojnë protestën. Ata presin që të bëhen lëvizje më të shpejta për realizimin e kërkesave të tyre që do të jenë në dobi të punëtorëve dhe ndërmarrjeve. Këto kërkesa i janë drejtuar Shtyllës IV, AKM-së dhe PSSP-së.

Organizatorët e protestave thonë se po presin qetësimin e situatës dhe protesta të bëhet.

ECIKS / Biznesi