Britaniku Gevin Jeffery emërohet menaxher i PTK-së

Prishtinë, 23 mars 2004 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) ka emëruar britanikun Gavin Jeffery menaxher të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Jeffery do të fillojë punën nga mesi i prillit. “Procedura e përzgjedhjes ka filluar në fund të vitit 2003, kur AKM-ja angazhoi firma profesionale për të ndihmuar në gjetjen e kandidatit më të përshtatshëm, që është praktikë standarde për kompanitë e Telekomit”, – thuhet në një njoftimin për media të AKM-së. Në garë për postin e menaxherit të AKM-së ishin shtatë kandidatë me kualifikim të lartë. Jeffery ka më shumë se 20 vjet përvojë menaxhuese në vendet në zhvillim. Ai ka punuar në pozitën e drejtorit menaxhues në kompaninë për komunikime kabllore “Sonera”, ndërsa kohët e fundit ishte drejtor menaxhues i kompanisë “Afgan”, i cili është operatori i parë mobil i Afganistanit. Jeffery është i kualifikuar për kontabilitet dhe financa të përgjithshme. PTK në muajt e fundit ishte pa menaxher që nga koha e pezullimit të Leme Xhemes nga posti i drejtoreshës së përgjithshme. Ish-drejtoresha është pezulluar për shkak të dyshimit për korrupsion, mirëpo njësiti italian i hetimeve Guardia Di Finanza nuk ka arritur që të dëshmojë fajësinë e saj. Pas largimit të Xhemës në vendin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të AKM-së ishte Erick McCinlay. Në opinion emri i tij është lidhur me disa afera të cilat nuk janë zbardhur, në mesin e tyre nënshkrimi i kontratës me Monaco Telekomin për shfrytëzimin e kodit telefonik. PTK-ja është ndërmarrja më fitimprurëse në Kosovë dhe njëkohësisht ndërmarrja publike që ka kontribuar më pak në buxhetin vendor, ndërsa destinimi i fitimeve të saj mbetet mister.
Jozyrtarisht vlerësohet se qarkullimi ditor i PTK-së mund të jetë diku rreth 1 milion euro.

PTK-ja është operatori i vetëm i telefonisë mobile në Kosovë, edhe pse këtë e përjashton ligji “Për telekomunikacionin”. Sipas këtij ligji të nënshkruar nga ish-PSSP Michael Steiner, në nëntor të vitit 2003 është dashur që të shpallet tenderi për operatorin e ri të telefonisë mobile. Tenderi për operatorin e dytë është shpallur vetëm në fillim të këtij viti, por gjasat për zgjedhjen e shpejtë të tij janë shumë të vogla për shkak të mospajtimeve midis vendorëve dhe ndërkombëtarëve. Monopoli i PTK-së, si operator i vetëm mobil në tregun e telekomunikacionit në Kosovë, ka ndikuar në çmimet e larta të telefonisë mobile në krahasim me vendet e rajonit dhe në shërbime gjithaq shumë cilësore.

ECIKS / Biznesi