E duan linjitin e Kosovës

Prishtinë, 10 tetor 2006 – Kosovarët mund t’ua kenë marrë inati kapaciteteve energjetike të vendit, por të huajt duket se i duan ato tej mase. Si asnjëherë deri sot, në një konferencë të Ministrisë së Energjetikës për energjetikën kosovare kanë marr pjesë 30 kompani të huaja me rreth 90 deri në 100 pjesëmarrës nga vendet e rajonit dhe të Evropës.

Krerët më të lartë të institucioneve kosovare u kanë premtuar investitorëve të huaj dhe vendorë se ata do të avancojnë shërbimet publike, do të krijojnë lehtësira fiskale dhe buxhetore me qëllim që të krijohen parakushte për zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të Kosovës.

Krijimi i kushteve për investime të jashtme në vend do të jetë prioritet edhe i Planit Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës. Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se gjatë shtatë viteve të fundit institucionet kosovare së bashku me UNMIK-un kanë ngritur një bazë të mirë ligjore dhe institucionale në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Korniza ekzistuese ligjore u garanton investitorëve një siguri të plotë të aktivitetit, të pronës dhe përdorimit të fitimit”, tha kryetari Sejdiu.

Mirëpo, ai pranoi se institucionet e vendit duhet të punojnë edhe më shumë për krijimin e kushteve më të mira për investime përmes zbatimit të ligjeve dhe praktikave më bashkëkohore. Sipas Sejdiut, zhvillimi i sektorit të energjisë është faktor shumë i rëndësishëm për krijimin e parakushteve për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

“Duke pasur parasysh se energjia është një input tepër i rëndësishëm i prodhimtarisë dhe shërbimeve, por edhe një determinant kyç i standardit të jetesës së qytetarëve, investimet e reja në këtë sektor, qofshin ato të hapjes së mihjes se re, rehabilitimit të blloqeve ekzistuese apo ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese, duhet të sigurojnë shfrytëzim efikas të resurseve dhe standardeve evropiane të ambientit”, tha kryetari Sejdiu.

Ndërsa shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se Kosova me kapacitetet e saj mundëson edhe furnizim për vendet tjera me energji elektrike.

“Kosova përmban 45 për qind të depozitave të përgjithshme të linjitit të Evropës, ka aftësi për të qenë një prodhues i madh i energjisë për tërë rajonin. Sektori i energjisë ka një potencial mjaft të madh dhe Kosova ka mundësi që të prodhojë energji me çmim më të arsyeshëm”, tha ai.

Sipas Ruecker, me hartimin e strategjisë energjetike, UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës po mundohen të krijojnë një ambient të mirë për tërheqjen e investitorëve.

Ai vlerësoi se deri në fund të vitit 2007, nxjerrja e linjitit duhet të marrë përmasa komerciale. Kosova ka një bazë mjaft të mirë ligjore për funksionimin e ekonomisë së tregut, që garantohet nga zyrat e pavarura rregullative. Në Kosovë gjithashtu është aplikuar një program i suksesshëm i privatizimit”, tha Ruecker.

Ndërsa kreu i qeverisë së vendit, Agim Çeku, tha se beson fuqimisht që Kosova mund të jetë një vend shumë atraktiv për investimet e huaja në të ardhmen në shumë sfera, por energjia është elementi kryesor i rritjes ekonomike në të ardhmen.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se vendi ka mundësi për rritje ekonomike prej 4.5 deri 5 për qind në vit dhe e vetmja mënyrë e arsyeshme për të arritur këtë është duke i rritur investimet, duke i rritur ato në mënyrë të dukshme dhe të rëndësisë së lartë dhe në mënyrë permanente.

Çeku tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përpilimin e një strategjie të qëndrueshme ekonomike dhe fiskale, dhe si më tepër një strategji, e cila është duke u menaxhuar brenda një kornize afatmesme të shpenzimeve.

“Ekonomia e Kosovës ka nevojë për 100-150 milionë euro shtesë në vit për një periudhë shumëvjeçare. Ne shohim participimin e sektorit privat të jashtëm si një element të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë vendore”, tha Çeku.

Ndërkaq ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, tha se Kosova ka nevojë për investitorë që investojnë, sidomos në sektorin e energjisë. Çeku tha se përmes realizimit të këtij projekti, Kosova do t’i zgjidhë shumë sfida dhe probleme të energjisë në periudha afatshkurta.

Shefi i USAID, Michael Farbman, edhe pse tha se makroekonomia në Kosovë viteve të fundit është stabilizuar dhe institucionet e menaxhimit ekonomik janë përforcuar në masë të madhe, problem, sipas tij, ende mbetet fakti se Kosova është kapur në kurthin e rritjes së ulët të zhvillimit ekonomik.

Sipas Farbman, për të dalë nga ky kurth dhe për të siguruar një nivel më të lartë të rritjes dhe sigurisë ekonomike që, sipas tij, është çelës për mirëqenien e qytetarëve, Kosovës i duhet rritja e investimeve në sektorë të caktuar strategjikë të ekonomisë.

“Institucionet e mëdha financiare ndërkombëtare dhe donatorët, siç është edhe USAID-i, e shohin të qartë se e vetmja qasje e mundshme për zhvillimin e Kosovës është hapja e burimeve të konsiderueshme të energjisë dhe vetë tregut të saj”, tha ai.

Shefi i misionit të Bankës Botërore në Prishtinë, Kanthar Shankar, tha se zhvillimi ekonomik është shumë i rëndësishëm sidomos për sfidat me të cilat përballet Kosova, siç janë krijimi i vendeve të punës dhe zvogëlimi i varfërisë. “Edhe ne mendojmë se sektori energjetik do të ndihmojë shumë zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Shankar.

Banka Botërore, sipas Shankar-it, përveç këshillave teknike, ajo tash aktivitetin e vet në sektorin e energjisë do ta vazhdojë me një financim të ri prej 8.1 milionë eurosh, që ka të bëjë për financimin e projektit të asistencës teknike për minierat e linjitit.

Ndryshe, Ministria e Energjisë dhe Minierave është sponsoruese e Strategjisë për zhvillimin energjetik në vend. Në këtë strategji përfshihet ndërtimi i kapaciteteve të reja, riparimi i kapaciteteve ekzistuese si dhe hapja e mihjes se re të linjitit në Sibofc, projekte të cilat parashihen të arrijnë investime prej 2.8 miliardë eurosh.

Gazeta Express