Qeveria e Kosovës, pas një debati relativisht të ashpër, ka vendosur që tenderi për licencë të telefonisë mobile të jetë i kombinuar. Ky opsion i hap rrugën operatorëve rajonal për ta fituar licencën.
Prishtinë, 10 tetor 2006 — Përpjekja e Qeverisë së Kosovës për ta thjeshtësuar procedurën për tenderin e dytë të telefonisë mobile ka dështuar. Nga një tender me një të panjohur që ishte herën e parë, është bërë me dy të panjohura, edhe pse tendenca ka qenë tjetër.
Qeveria e Kosovës pas një debati relativisht të ashpër ka vendosur që tenderi për licencë të telefonisë mobile të jetë i kombinuar. Në të do të jenë të përfshira dy metodat: “Beauty Contest” dhe ankand. Sipas kësaj metodologjie që planifikon të përdorur Qeveria e Kosovës kompania që ofron më së shumti të holla në tender do të fitojë 30 për qind të pikëve. Kurse 70 për qind të pikëve tjera grumbullohen me plotësimin e kritereve tjera të përcaktuara. Aty futen shpejtësia e implementimit të licencës, participimi i partnerëve vendorë në projekt, eksperienca e kompanive konkurruese.
Gjithashtu 20 milionë euro është taksa fikse, nën të cilën nuk jepet licenca. Mbi këtë 20 milionë euro kompanitë mund të konkurrojnë për të fituar 30 për qindëshin e pikëve të rezervuara për pjesën që i takon ankandit. Ky është në fakt kompromisi që është arritur në mes ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kryeministrit Agim Çeku.
Propozimi inicial i Ministrit për Transport dhe Telekomunikacion, Qemajl Ahemti – i cili me ligj është njeriu më kompetent për të vendosur për paketën tenderuese – ka qenë që përqindja e pikëve të siguruara përmes ankandit të mos jetë më e madhe se 10 për qind e pikëve të përgjithshme. Sipas ministrit Ahmeti 90 për qind e pikëve tjera do të duhej të mblidheshin përmes projektit më të mirë që paraqesin kompanitë konkurruese. Kurse propozim i Kryeministrit, i frymëzuar nga idetë ë këshilltarit të tij për ekonomi, ka qenë që licencën ta fitojë kompania që ofron më së shumti të holla në tender – pa marrë parasysh seriozitetin e projektit. Në debat e sipër, që thuhet se nuk ka kaluar krejt pa tensione, palët qeveritare janë pajtuar për kompromis, i cili do ta dëmtojë dhe rrezikojë jashtëzakonisht shumë projektin. Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Ulpiana Lama tha se kombinimi i këtij tenderi ka të bëjë kryesisht me ngritje të çmimeve për ofertuesit të cilët konkurrojnë.”Ky kombinim në fakt rezulton në dy risi të mëdha, njëra prej të cilave është ngritja e licencës nga 6.5 milion , në 20 milion euro”, si dhe rritja e përqindjes për ofertën e kompanive konkurruese prej 10 për qind në 30 për qind. Ky kombinim, çfarë është parashikuar, është jashtëzakonisht i favorshëm për operatorët e vendeve fqinje që planifikojnë të konkurrojnë në ketë tender. Kjo më së shumti e privilegjin kompaninë serbe Mobtel 063 – aksionet e të cilës kohë më parë i ka blerë kompania norvegjeze Telenor.
Gazeta Express