€ 81 mil. nga licenca të përdoren për investime kapitale

Prishtinë, 8 shkurt 2007 – Qeveria e Kosovës ka vlerësuar procesin e përmbylljes së tenderit të telefonisë mobile, në mbledhjen e së mërkurës, si një proces transparent dhe të përfunduar me dinamikën e paraparë. “Në përzgjedhjen e kompanisë fituese ‘Kosmocell’-in, Qeveria ka marrë vlerësime pozitive edhe nga UNMIK-u. 81 milionë eurot që do të paguhen nga “Kosmocell”, Qeveria do t’i përdorë për investime kapitale”, tha Bedri Gashi, drejtor i zyrës për informim në Kryeministri. “Nuk kemi pritur që do të na vijnë të hyra 81 milionë euro nga licenca, por rreth 60 milionë.

„Për ne kjo shumë është e mirëseardhur”, tha Haki Shatri, ministër i Ekonomisë dhe Financave. Sipas tij, nëse u lejohet, Qeveria do të rrisë shpenzimet. “Përmes procedurave do të shohim se në çfarë projekte do të investojmë”. Gjithashtu një ditë pas shpalljes së fituesit të tenderit të dytë telefonisë mobile, në Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), asnjëra prej kompanive dhe konzorciumeve që kanë marrë pjesë në tenderin për operator të dytë, të cilat humbën, nuk kanë parashtruar ankesë rreth procedurës së shpalljes së fituesit të këtij tenderi.

ART-ja ka shpallur të martën fitues të tenderit për operator të dytë mobil, konzorciumin “Kosmocell”, në përbërje të të cilit është korporata “Dukagjini”, në krye të së cilës është Ekrem Lluka nga Peja, kompania “Kujtesa” nga Prishtina, si dhe një operator Italo-Amerikan. “Deri më tani nuk është dorëzuar asnjë ankesë nga kompanitë dhe konzorciumet pjesëmarrëse të tenderit, lidhur më vendimin për shpalljen e konzorciumit “Kosmocell” fitues të tenderit për operator të dytë mobil”, tha Mirlinda Bivolaku, zëdhënëse e ART-së. Sipas procedurave në fuqi, kompanitë apo konzorciumet që kanë konkurruar në këtë tender, e të cilat nuk kanë arritur që të fitojnë tenderin, kanë të drejtë ankese dhe afati kohor që të dorëzojnë ankesat e tyre në ART është një muaj.

Në tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile kanë konkurruar katër kompani: operatori “Mobilkom” nga Austria, konzorciumi “Telekom Slovenija”, “Team Kosova” dhe “Kosmocell”. Konzorciumi “Kosmocell” për të marrë licencën e veprimit si operator i dytë mobil në vend, ka ofruar shumën prej 81 milionë eurosh. Sipas Bivolakut, kompania “Kosmocell”, i ka dy javë afat për t’i deponuar paratë. Sipas saj, ART-ja duhet t’i propozojë dhe finalizojë kushtet e licencës, ndërsa nënshkrimi i licencës është faza finale e këtij procesi.

“Pagesa nuk është problem dhe ajo do të bëhet në kohë në mënyrë që sa më shpejt të merret licenca dhe të fillohet puna”, tha Ekrem Lluka për “Lajm”.

Kjo është hera e dytë që korporata “Dukagjini” shpallet fituese e tenderti të telefonisë mobile. Ajo ishte shpallur fitues e tenderit të kaluar, por tenderi ishte anuluar për shkak të dyshimeve për parregullsi.

ECIKS / Gazeta Lajm