Prishtinë, 29 gusht 2005 – Dyert e Ferronikelit dhe objekteve përcjellëse të kësaj ndërmarrjeje, do të jenë të mbyllura për Alferonin, fituesin e tenderit për privatizim, thanë sot në një takim me gazetarë, përfaqësuesit e Këshillit Organizativ të Protestave në mbrojtje të Ferronikelit. Përfaqësuesit e Këshillit, paralajmëruan edhe një protestë më 1 shtator në Drenas, pas të cilës, në rast të mos ritenderimit të Ferronikelit, ata paralajmëruan forma tjera radikale.
Mënyra, ndikimi i fituesit, çmimi i vogël, blerësi me prejardhje të dyshimtë, janë ndër faktorët që na sollën në situatë që ta kundërshtojmë fuqishëm Alferonin, dhe të kërkojmë nga autoritetet përkatëse që sërish të bëj ritenderimin e Ferronikelit. Çështja e Ferronikelit nuk është vetëm e punëtorëve të saj por edhe e gjithë qytetarëve të kësaj ane si edhe të gjithë Kosovës, tha kryetari i Këshillit të protestave në mbrojtje të Ferronikelit, Gani Halilaj. Ai ka paralajmëruar edhe një protestë në shenjë pakënaqësie me rrjedhat e deritashme rreth çështjes së Ferronikelit:
“Këshilli organizativ, në mbledhjen e mbajtur para tri ditësh ka marrë vendim dhe jemi të vendosur në kërkesat legjitime të popullit të Drenicës që njëherësh është edhe kërkesë e tërë Kosovës, dhe edhe kërkesë e Sindikatës së punëtorëve të Ferronikelit që të organizojmë edhe një protestë e cila do të jetë e fundit e reagimit të tillë. Ndërsa nëse sërish nuk do të dëgjohet zëri i atyre që duhet të dëgjohet ka mundësi që protestat do të radikalizohen”.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Ferronikelit, Ferki Karaxha, tha se mos përfillja e çështjes së Ferronikelit bëhet pikërisht nga ata të cilët më së paku e njohin rëndësinë e kësaj ndërmarrjeje. Sipas tij në Ferronikel nuk po ndodhë procesi i privatizimit por shitje klasike e pronave dhe kjo është çështje e padrejtë ndaj kësaj ndërmarrjeje, sepse të gjithë e dinë se:
“Nuk ka kuptim as Trepça, as KEK-u pa Ferronikelin, sepse do të ndodhë një rebalancim i madh i faktorit zhvillimor në Kosovë në qoftë se në Ferronikel lejohet të ndodhë kjo që po tentohet të ndodhë, shitje e thjeshtë e pronës. Ato resurse ose ato kapacitete industriale që po tentojnë të futen në ekonominë e tregut shitja e xehes dhe shitja e pjesëve më vitale të Kosovës do ta dëmtojnë rëndë krejt ekonominë kosovare, sidomos industrinë e rëndë dhe ekonominë e metaleve me ngjyrë dhe industrinë e metaleve në përgjithësi”.
Përfaqësuesit e Këshillit Organizativ të Protestave, thanë se do të jenë këmbëngulës në kërkesat e tyre andaj shqetësimin e tyre do ta shprehin në forma të ndryshme përderisa do të hasin edhe më tej në veshin e shurdhër të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për këtë çështje.
ECIKS / RadioKosova