KEK-u do mbledhë borxhet me kallashnikov

Një task force pritet të krijohet nga UNMIK-u, Qeveria e Kosovës dhe KEK-u. Kjo forcë do të kooperojë me Shtyllën e Parë të UNMIK-ut, gjykatat dhe policinë, për të mbledhur rreth 250 milionë euro borxh që i ka popullata e Kosovës që prej përfundimit të luftës. Vetëm 40 për qind e popullatës e paguan rrymën, ndërkohë që reduktimet vazhdojnë edhe gjatë verës

Prishtinë, 24 gusht 2005– Kallashnikovët dhe armët e tjera që i zotëron policia e Kosovës, së bashku me gjykatat, pritet të provohen për zgjidhjen e problemit më akut në Kosovë, mospagesës së energjisë elektrike nga ana e popullatës. Kjo është zgjidhje e vetme që u ka rënë ndërmend zyrtarëve të UNMIK-ut, AKM-së dhe qeverisë së Kosovës pas dështimit që prej 6 vjetësh për mbledhjen e këtyre borxheve.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të AKM-së, por kjo mundësi është përmendur edhe nga vetë ministri i Energjetikës, Etem Çeku. Sipas zyrtarëve të AKM-së, tani kjo çështje ka arritur në zyrën ligjore të UNMIK-ut dhe janë duke u diskutuar modalitetet rreth organizimit dhe kompetencave që do të ketë kjo task forcë. Njëkohësisht formimi i task force-s shihet edhe si shpëtim për kompaninë irlandeze ESBI, e cila është duke e menaxhuar KEK-un pa asnjë sukses, ndërkohë që janë dhënë parà të mëdha nga buxheti i Kosovës për këtë kompani.

“Task force do të jetë një trup ndërvepruese që do të bashkëpunojë me gjykatën dhe policinë për t’i mbledhur borxhet dhe për të rritur arkëtimin e pagesave të energjisë elektrike. Do të jetë një trup e zgjedhur,” tha burimi i gazetës nga AKM-ja. Megjithëse ende nuk dihet nëse ata personalisht do të posedojnë armë dhe çfarë lloj armësh, gjëja që dihet është se ata do të kenë bashkëpunim special me gjykatat dhe policinë, d.m.th. këto dy institucione do të jenë në dispozicion të task force-s sa herë që individët e ndryshëm kërcënojnë kur u shkëputet rryma. Dispeçerët e KEK-ut kërcënohen vazhdimisht kur shkojnë për t’ua ndërprerë energjinë konsumatorëve në Kosovë, ndërsa Shtylla e Katërt e UNMIK-t ka deklaruar se nuk mund të japë detaje më shumë për organizimin e saj, pasi ende nuk ka ndonjë vendim.

“Nuk ka ende ndonjë vendim dhe detaj për këtë çështje të task force-s së KEK-ut, ndaj nuk kemi mundësi të japim informacione. Megjithatë, kur të jemi në pozitë të dimë më tepër mbi këtë çështje, do t’ju informojmë,” deklaroi Angela Grip, përgjegjëse për informim nga Shtylla e Katërt e UMIK-ut.

Administrata Ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë edhe qeverinë e Kosovës, kanë provuar çdo mundësi për të rritur inkasimin e rrymës, por të gjitha kanë dështuar, duke përfshirë edhe fushatat e shtrenjta publicitare për ta paguar rrymën.

Vitin e parë kompania irlandeze që menaxhon KEK-u, kontrata e të cilëve është afër skadimit, është paguar 3,2 milionë euro, ndërsa vitin e dytë asaj parashikohet t’i jepen 2,6 milionë euro. Por kjo kompani, edhe pse është paguar kaq shtrenjtë, nuk është treguar fare e suksesshme në arkëtimin e borxheve, dhe AKM-i nuk është kënaqur me punën e saj, por ka ndërmend që ta vazhdojë kontratën edhe një vit. Ministri i Energjetikës, Etem Çeku, ka dhënë shumë vërejtje për drejtimin e punës së kompanisë. Sipas shifrave të vetë Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, popullata në Kosovë i ka borxh asaj rreth 250 milionë euro. Që prej përfundimit të luftës vetëm 40 për qind e popullatës e paguan rrymën, ndërsa pjesa tjetër nuk i përgjigjet asnjë ftese. Kosova, po ashtu përballet me reduktime të energjisë, megjithë investimet e shumta në termocentralet e vjetra prej rreth 900 milionë eurosh.

Biznesi