Tiranë, 29 gusht 2005 – Shumë emigrantë shqiptarë që kaluan sezonin veror në Shqipëri ndihen të kënaqur nga përparimi i sivjetshëm i turizmin shqiptar. Në pikën kufitare të Kakavijës duke u rikthyer në Greqi emigrantët thonë se kanë gjetur shërbime më të mira dhe gatishmëri të administratës për tu plotësuar nevojat që kanë për procesin e legalizimit të dokumenteve. Por sipas tyre vendi ka ende një infrastrukturë të keqe dhe probleme me ujin dhe energjinë.
Disa mijëra emigrantë shqiptarë që erdhën në Shqipëri për sezonin veror kanë nisur të rikthehen pranë vendeve të tyre të punës në Greqinë fqinje. Ndryshe nga Pika kufitare e Kapshticës, ku , sipas policisë shqiptare, janë vënë re ditët e fundit radhë të gjata , në pikëkalimin tjetër kufitar të Shqipërisë me Greqinë atë të Kakavijës qarkullimi duket më se normal. Nëpunësit shqiptarë thonë se emigrantët tashmë “ia kanë marrë dorën” duke mos e lënë udhëtimin e kthimit ditët e fundit të skadimit të afatit për lëvizjen në kufi me lejeqëndrime. Këtë vit ky afat i përcaktuar nga Ministria greke e Rendit është deri më 31 gusht.
Petrit Kamberi , një emigrant nga Vlora, thotë se ka gjetur një Shqipëri të përmirësuar. I ndodhur prej shtatë vjetësh në Greqi, Petriti thotë se Vlora i është dukur me më shumë pushues se çdo vit tjetër. I pyetur se sa para harxhon në një sezon veror familja e tij zoti Kamberi përgjigjet se pushimet çdo vit në Shqipëri i kushtojnë mbi 1500 dollarë.
Shkëlqim Draga është nga Fieri dhe banon prej vitesh I vetëm në Greqi. Ai thotë se sivjet ka pëlqyer që pushimet ti kalojë në Himarë dhe në Durrës. Kam harxhuar rreth 1000 dollarë për rreth 15 ditë , thotë ai dhe e vetmja gjë që i ka lënë shije të keqe thotë se është infrastruktura rrugore, shumë e dëmtuar. Në raport me vitet e shkuara për sa I përket turizmit Shqipëria ka bërë hapa para, thotë Shkëlqimi.
Në bazë të shifrave të policisë shqiptare vlerësohet se mbi 120 mijë emigrantë kanë hyrë në Shqipëri nga Greqia gjatë muajve Qershor dhe Korrik vetëm përmes Pikës së Kakavijës. Të ardhurat që emigrantët shpenzojnë për turizmin përbëjnë bazën e të ardhurave që përfitohen nga industria e turizmit shqiptar. Të ardhurat nga turizmi vitin e shkuar, sipas ekspertëve të Bankës Botërore , përbënin rreth 10 % të Prodhimit të Brendshëm.
Për shumë emigrantë shqiptarë që rikthehen në Greqi mbetet në qendër të interesimit Ligji i Ri për emigracionin i porsamiratuar nga Qeveria greke. Por për një pjesë tjetër jo të vogël mungon informimi për këtë ligj. Selamiu, një emigrant nga një zonë malore e Tepelenës që udhëtonte për në Selanik me bashkëshorten dhe dy vajzat thotë se nuk i del kurrë koha të lexojë gazetat e nuk di gjë për ligjin. Por, ashtu si edhe për shumë emigrantë të tjerë , Selamiu thotë se për të ka rëndësi që të lëvizë lirshëm sic ka lëvizur këto vite në kufirin mes të dy vendeve.
Ndryshe nga vitet e tjera emigrantët shqiptarë që rikthehen drejt Greqisë thonë se verën e vitit tjetër do vijnë sërish për pushime në Shqipëri. Ndoshta edhe për faktin se këtë radhë në të dy anët e kufirit nëpunësit grekë dhe shqiptarë ua kanë shkurtuar pritjen në radhët kilometrike.
ECIKS / VoA (Raimond Kola)