Prishtinë, 31 janar 2007 – Ndërmarrjet shoqërore “Morava e Binçes” nga Gjilani dhe “Mulliri” nga Fushë- Kosova u shitën të mërkurën nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), përmes “spin-off”-it special për rreth 6,5 milionë euro. Kjo është bërë e ditur gjatë ceremonies së rrethit të dytë të hapjes së ofertave, ku për këto dy ndërmarrje kishin ofertuar gjashtë konkurrentë.
Ofertuesi fitues për ndërmarrjen shoqërore “Morava e Binçes” në Gjilan, e cila merret me përpunimin e zhavorrit dhe ndërtimtari, ka ofruar një çmim prej 4 milionë e 117 mijë euro dhe është zotuar se do të investojë në këtë ndërmarrje rreth 15.5 milionë euro, si dhe ka premtuar punësimin e 150 punëtorëve. Ndërsa ndërmarrja “Mulliri”, e cila gjendet në Fushë-Kosovë, që merret me përpunimin e drithërave, kryesisht grurit, është shitur për 2.5 milionë euro. Blerësi i kësaj ndërmarrjeje ka premtuar 15 milionë euro investime, si dhe punësimin e 260 punëtorëve.
Ndërmarrja “Morava e Binçes” është njëra prej prodhueseve më të mëdhenj të zhavorrit në Kosovë me kapacitet teorik të prodhimit prej 298 metra kub në orë. “Morava e Binçës” ka rreth 760 punëtorë, përderisa vetëm 200 punëtorë janë të lidhur me ndërmarrjen e re. Ndërsa, “Mulliri” në Fushë-Kosovë posedon pajisje që e bëjnë paketimin e prodhimeve finale të miellit dhe është i pajisur me laborator për analizimin e kualitetit të prodhimeve të furnizuara nga furnitorët.
Kjo ndërmarrje aktualisht ka 96 punëtorë, nga të cilët 25 janë aktivë. AKM-ja deri tash ka shpallur 21 raunde të privatizimit dhe nga shitja e ndërmarrjeve deri më tani ka mbledhur më shumë se 260 milionë euro. Këto mjete ruhen në mirëbesim në konton e AKM-së, e cila është e hapur në Autoritetin Qendror Bankar të Kosovës dhe ato nuk përdoren për zhvillimin ekonomik të vendit.
ECIKS / Gazeta Lajm