Dy amerikanë marrin çmimin Nobel për ekonomi

Stockholm, 12 tetor 2004 – Çmimin e sivjetëm Nobel në shkencat ekonomike e ndajnë midis tyre norvegjezi Fin E. Kydland dhe amerikani Eduards C. Prescot. Të dy studjuesit vlerësohen për punën e tyre në fushën e politikës ekonomike dhe cikleve të ekonomisë.

Kydland dhe Prescot me studimet e tyre jo vetëm kanë çuar përpara analizën makroekonomike, por ata kanë influencuar edhe politikën praktike monetare dhe buxhetore në shumë vende, kështu e argumenton vendimin Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm. Çmimi i nderit për shkencat ekonomike nuk bën pjesë në çmimet klasike Nobel. Ky çmim sponsorizohet nga Banka Mbretërore Suedeze dhe për herë të parë ai u akordua në vitin 1969.

Kydland dhe Prescot i kanë publikuar bashkarisht punimet e tyre udhërrëfyese, dy artikujt kryesor u përkasin viteve 1977 dhe 1982. Në vitet 70 ekonomitë perëndimore vuanin nga i ashtuquajturi asokohe stanjflacion (stanjacion dhe inflacion), pothuajse asnjë zhvillim i dukshëm ekonomik, papunësi e madhe në vazhdimësi dhe inflacion i lartë. Ekonomia politike atëbotë kish krijuar përfytyrimin, se papunësia mund të reduktohej duke pranuar kuota të larta inflacioni. P.sh. ish-kancelari Helmut Shmid thoshte, se në qoftëse do të mund të zgjidhja mes inflacionit të lartë apo papunësisë së lartë, do të preferoja inflacionin e lartë, për të ulur papunësinë. Nobelisti Milton Friedman tregoi megjithatë, se nuk ekziston një alternativë e tillë: kuotat e larta të ifnlacionit mund ta ulin papunësinë për një afat të shkurtër, por jo në vazhdimësi.

Kyland dhe Prescot e kanë thelluar teorinë e politikës ekonomike me të ashtuquajturin problemi i mospërputhjes kohore. Në thelb teoria e tyre thotë: masat e politikës ekonomike, që konsiderohen prej vendimmarrësve si më të mirat për të ardhmen, shpesh herë nuk zbatohen, sepse ndërmarrjet dhe buxheti me parashikimet e tyre përgatiten për masat e ardhëshme. Kjo i shtyn politikanët që të mos i vënë fare në jetë masat e shpallura. Sipas Kydland dhe Perscot, një politikë e tillë është si rezultat shumë më e dëmshme se sa mungesa e qëllimeve afatgjata.

Kjo vlen p.sh. për politikën monetare: Nëse ka konsensus të përgjithshëm, se papunësia e ulët mund të arrihet me inflacion të lartë, atëherë deklarata, se po bëhet dicka kundër inflacionit, nuk tingëllon bindëse. Subjektet ekonomike në vend të kësaj përgatiten për kuota të larta inflacioni, kërkojnë paga më të larta dhe pasoja është që papunësia nuk ulet.

Studimet e Kydland dhe Prescot kanë pasur efekt konkret për politikën ekonomike: larg vendimeve të mëvetsishme të subjekteve ekonomike për t´i hapur rrugën një kuadri institucional me qëllime të qarta afatgjata. Banka Qendrore Evropiane p.sh. është një institucion i tillë me qëllim të qartë afatgjatë: të mos lejojë rritjen e inflacionit mbi 2%, pavarësisht nga vendimet që merren prej subjekteve ekonomike. Punimet e Kydland dhe Prescot kanë influencuar ndjeshëm reformat e institucioneve në Zelandën e Re, në Suedi dhe në Britaninë e Madhe.

Gjithashtu të dy kanë kontribuar shumë për teorinë e cikleve ekonomike. Vëzhgime të mëparshme përqëndroheshin tek kërkesa dhe pak a shumë ato ishin statike sipas motos: nëse bëhet një ndryshim në një drejtim në drejtimin tjetër ndryshon ky ose ai aspekt. Por një gjë e tillë nuk mjaftonte për të sqaruar zhvillimet as në mesin e viteve 70, në kohën e stanjflacionit dhe të shokut të cmimit të naftës. Dy nobelistët e rinj kanë hedhur gurin themeltar për modelet sqaruese më solide dhe më dinamike, që përfshijnë parashikimet e buxheteve dhe të firmave lidhur me konsumin, investimet, ofertën e punës etj. Mund të thuash që Kydland dhe Prescot kanë kontribuuar që ekonomia t´i afrohet më shumë jetës së vërtetë dhe njerëzve.

ECIKS / DWelle