Deklaratë e përbashkët për koridorin 8

Tiranë, 1 prill 2004 – Ministrat e Transporteve të vendeve ku kalon Korridori i Tetë, gjatë takimit të tyre të zhvilluar dje në Tiranë, nënshkruan një Deklaratë të përbashkët, në bazë të së cilës vendet bien dakort, të bashkërendojnë punën për zhvillimin dhe ndërtimin e këtij Korridori. Korridori i Tetë përfshin Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë, Turqinë, Italinë dhe Maqedoninë. Në bazë të Deklaratës, kërkohet angazhimi i të gjitha vendeve për bashkërendimin e punës, çka do të ndihmonte më shumë në gjetjen e donatorëve për ndërtimin e tij. Ministri i Transporteve Spartak Poçi gjatë nënshkrimit të kësaj deklarate tha se “takimi i sotëm është pjesë e përpjekjeve që po bëjnë qeveritë e vendeve ku kalon korridori i Tetë me Bashkimin Europian dhe Donatorët për ndërtimin e tij. Vendimi i marrë nga të gjitha shtetet anëtare pritet ti japë një shtysë punës për realizimin e projekteve konkrete në ndërtimin tërësor të këtij korridori. “Ky korridor ka jo vetëm karakter të shumëllojshëm, rrugor hekurudhor, ajror. Gjithashtu në këtë korridor përfshihet edhe korridori i gazit dhe energjisë, ndërmjet vendeve të rajonit”, u shpreh ministri Poçi. Ambasadori i Komisionit Europian, Lutz Salzamann, u shpreh gjatë këtij takimi se, “Korridori i Tetë konsiderohet si i rëndësishëm për integrimin e rajonit perëndimor”. Ndërkohë sipas ministrit Italian të transporteve Pietro Lunardi, “Ky korridor nuk është vetëm një strukturë rrugore dhe hekurudhore por një projekt i rëndësishën në kuadrin e 30 prioriteteve të parashikuara në Këshillin e Ministrave të Transportit”. Italia kërkoi që ky korridor të përfshihej në infrastrukturën strategjike, çka do të rikonfirmojë edhe një herë rëndësinë e këtij korridori. Përfshirja e tij në infrastrukturën strategjike siguron deri në rreth 70 % të financimeve të korridorit nga Bashkimi Europian, për një afat 35 vjeçar. Korridori pritet të përfundojë në vitin 2020. Për zhvillimin e tij është krijuar edhe një Sekretariat, në Bari të Italisë, i cili do të shërbejë si pikë referimi për planet rrugore, hekurudhore, si dhe ato financiare. “Ky korridor do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve, si dhe në zhvillimin e sektorëve të rëndësishëm të ekënomisë së çdo vendi si, turizmi, biznesi privat etj”,- u shpreh z/kryeministri dhe ministri bullgar i Transporteve Nikollaj Vasiliev”.

ECIKS / News24