Busek: ekonomia ndikon në stabilitetin e Kosovës

Bruksel, 02 prill 2004 – Koordinatori i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, tha se Kosova duhet të mbahet në axhendën rajonale sa më shumë që të jetë e mundur, sepse injorimi i problemeve ekonomike, i procesit të privatizimit, i integrimit në liberalizimin e tregut rajonal, i problemeve energjetike, etj. janë faktorë që ndikojnë në stabilitetin e vendit.

Këto komente Busek i bëri gjatë një takimi në Bruksel me koordinatorin e Kosovës në Pakt, Besim Beqaj. Me ftesë të Paktit të Stabilitetit, Beqaj ka vizituar Brukselin për të diskutuar përfshirjen më të madhe të Kosovës në bashkëpunimin rajonal dhe në iniciativat e mbuluara nga Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore. Gjatë këtyre takimeve kryesisht është biseduar për ngjarjet e fundit në Kosovë, ku është debatuar për rrugën e daljes nga kriza e krijuar.

Krahas këtyre bisedave fokusi ishte edhe në veprimet e nevojshme dhe konkrete për të përfshirë Kosovën aty ku është e mundur. Besim Beqaj tha se gjatë takimit me Busekun ai është interesuar për ngjarjet e fundit me theks të veçantë për nevojën që institucionet e Kosovës të krijojnë opinione se ngjarjet e fundit nuk do të kenë ndikime negative në rajon dhe se ato dënohen nga akterët kosovarë dhe ata ndërkombëtarë. Busek kërkoi që të gjithë përgjegjësit të sillen para ligjit dhe që në Kosovë të funksionojë rregulli dhe ligji i një vendi demokratik. Ai ka thënë se për ketë duhet angazhim i përbashkët i UNMIK-ut dhe i institucioneve të Kosovës.

Në takimin me përgjegjës të Grupit për Liberalizim e Tregut në kuadër të Paktit u diskutua për thellimin e përfshirjës së Kosovës në tregun rajonal dhe në iniciativën e nënshkrimit të marrëveshjeve për tregti të lirë. Si prioritet nga ana e Kosovës u paraqit nevoja për MTL me Maqedoninë dhe me Bosnjë- Hercegovinën. Në takimin me Grupin për Energji dhe implementim e Memorandumit të Mirëkuptimit për tregun rajonal energjetik u kërkua që përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të përfshihen në të gjitha takimet, sepse ato janë përgjegjëse për implementimin e marrëveshjes në të ardhmen.

Parimisht u diskutua për mundësinë e organizimit të një takimi në Prishtinë, ku do të diskutohej përfshirja e Kosovës në Memorandumin për Energji. Krahas takimeve në Paktin e Stabilitetit, Beqaj është takuar edhe me përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, si: Stefanno Sanino, këshilltar i Romano Prodit, Joly Dixon – ndërmjetësues në procesin e dialogut teknik në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Nikolas White – drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), etj.

ECIKS / Biznesi