Dalin në shesh keqpërdorimet në BKU

Prishtinë, 18 nëntor 2003 – Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Universitare të Prishtinës (BKU), Sali Bashota, bëri sot të ditur se në periudhën qershor 1999 – shtator 2002 ky institucion është dëmtuar për 61.355 euro. Bashota thotë se një inspektim financiar ka nxjerrë në shesh keqpërdorime të shumta në këtë institucion gjatë kësaj periudhe kohore dhe theksoi se nga llogaritë e biliotekës janë tërhequr mjete pa asnjë mbulesë.

Z. Bashota tha gjithashtu se gjatë kësaj periudhe kohore nuk është kryer asnjë obligim i Bibliotekës ndaj Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës dhe ndaj “Termokosit”.

Ndërkaq, Ministri i Arsimit, Rexhep Osmani, bëri të ditur se ky inspektim finaciar në Bibliotekën Kombëtare Universitare është bërë me kërkesë të kësaj Ministrie. Ai tha se raporti i kompletuar do t’u dërgohet për procedurë të mëtejshme organeve të hetuesisë, pasi bëhet fjalë për shkelje të rënda e keqpërdorime të mëdha.

ECIKS / QIK