Çmime rekorde të naftës në Tiranë

Gjatë ditës së djeshme një litër naftë është tregtuar me rreth 102 lekë ose afro 8 lekë më shumë se një javë më parë.

Tiranë, 29 mars 2005 – Çmimi i naftës ka kapur shifra rekord përsa i përket shitjes me pakicë, kjo të paktën në pikat shpërndarëse të Tiranës. Kështu, gjatë ditës së djeshme një litër naftë është tregtuar me 102 lekë, ose 8 lekë më shumë se një javë më parë. Vëzhgimet e kryera në pikat e kryeqytetit tregojnë se në dhjetë ditët e fundit çmimi i naftës ka njohur vetëm rritje, ndërkohë që në fundjavë një litër naftë u tregtua me 97 lekë. Përveç rritjes së ditëve të fundit, disa prej importuesve të naftës në vend kanë paralajmëruar se në ditët në vazhdim çmimi i karburanteve pritet të kapë shifra edhe më të larta, kjo sipas tyre vjen si pasojë e rritjes së çmimit të arit të zi në tregjet ndërkombëtare. Sipas importuesve, rritja e çmimit të naftës është reflektuar menjëherë në tregun tonë. Nafta e importuar gjatë ditës së djeshme është zhdoganuar me rreth 93 lekë për litër, duke pësuar një rritje tepër të lartë, po të kihet parasysh se vetëm dy javë më parë me këtë çmim nafta shitej në pikat e pakicës. “Çmimi i karburanteve do të mbetet i lartë për një periudhë të pacaktuar, për sa që kohë nafta do vazhdojë të tregtohet me shifra rekord në bursat ndërkombëtare”, -tregojnë tregtarët e naftës. Ndërkohë, disa nga analistët shqiptarë të ekonomisë kanë kërkuar kohët e fundit ndërhyrjen e qeverisë, pasi rritja e çmimit të naftës mund të ndikojë edhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Ata kanë kërkuar madje që qeveria të ndërhyjë përsëri për uljen e akcizës së naftës, pas ndërhyrjes që bëri në muajin tetor të vitit të kaluar. Sipas tyre, lëvizja e çmimit me pakicë të naftës nga 65 lekë në rreth 102 lekë brenda një periudhe kaq të shkurtër mund të japë pasoja të rënda për një ekonomi të brishtë siç është ekonomia shqiptare.

Forcimi i dollarit
Disa nga importuesit më të mëdhenj të karburanteve në vend shprehen se një faktor tjetër që ndikon në rritjen e çmimit të naftës në tregun shqiptar është edhe vlerësimi i dollarit. Monedha amerikane deri para pak kohësh ka vepruar si një faktor frenues në rritjen e çmimit të arit të zi në tregun vendas, pasi ishte në zhvlerësim të vazhdueshëm kundrejt lekut, por vlerësimi që po i bëhet kësaj monedhe kohët e fundit duket se po jep pasojat e veta në rritjen e çmimit të naftës.

ECIKS / Shekulli