Prishtinë, 26 mars 2005 – Qendra për Edukim dhe Përparim, sot në Prishtinë, bëri promovimin e Programit kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0 dhe faqes së internetit www.gjuha-shqipe.com
“Pas gjashtë vjetësh pune të zellshme dhe sfidash të ndryshme, që ndonjëherë dukeshin të pakapërcyeshme, sjellim para jush programin AS 2.0, pjesë e projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” të gatshëm për instalim masiv që është realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim. Realizime të tilla janë të rralla në histori, madje edhe në kombet më të zhvilluara dhe, për këtë arsye, me kënaqësi të madhe ju njoftojmë se, që sot, më 26 mars 2005, falë licencës ekskluzive që Qeveria e Kosovës ka blerë nga QEP-i, çdo banor i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, mund ta shkarkojë falas këtë program, i cili e radhit gjuhën shqipe mes 50 gjuhëve të botës, aktualisht të kompjuterizuara”, tha në fjalën përshëndetëse drejtori i QEP-it Lulëzim Shishani.
Programi AS 2.0, me anë të të cilit korrigjohen në kompjuter mbi 1 milion fjalë e trajta fjalësh, është realizuar në bashkëpunim me ekipe ekspertësh, mbikëqyrësish, partnerësh, si dhe nëpërmjet përkrahjes morale të institucioneve tona, duke qenë identik me softuerët për gjuhë të tjera në kuadër të Microsoft-it dhe në pajtim me programin operativ të Microsoft Windows, Microsoft Office dhe Microsoft XP.
“Ky program është një pjesë e projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, projekt me synime edhe më të mëdha. Në kuptimin e plotë të fjalës, ky projekt, i mbështetur nga gjuhëtarët më të shquar shqiptarë, shënon një epokë të re për gjuhën shqipe, konstatim ky i bazuar në përvojat që kanë pasur gjuhët e kombeve të zhvilluara”, theksoi z. Shishani.
Shfrytëzuesit nuk i duhet trajnim i veçantë për përdorimin e këtij programi, mjaftojnë pesë minuta për përvetësimin e tij.
QEP-i është partner i organizatave shumë të njohura botërore dhe vendore si Amebis, Microsoft, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Alba-Soft etj.
Programi drejtshkrimor AS 2.0 mund të shkarkohet në faqen www.gjuha-shqipe.com
ECIKS