CEFTA hyn në fuqi

Prishtinë, 27 korrik 2007 – Prej dje, më 26 korrik, ka hyrë në fuqi marrëveshja rajonale për tregti të lirë – CEFTA. Ministri për Tregti edhe Industri, Bujar Dugolli, ka shkruar një letër me rastin e aplikimit të CEFTA-s. Sipas tij, kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit. “Pas më se një viti negociatash, që pasoi një periudhë të konsiderueshme bashkëpunimi ekonomik dypalësh midis të gjitha vendeve të rajonit, që sot ato janë pjesë e përbashkët e një tregu të hapur e të unifikuar që mundësohet nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së tregtisë së lirë rajonale CEFTA”, shkruan ministri. Sipas tij, funksionimi i CEFTAs, ashtu siç është përmendur dhe më parë, pritet t’i japë një shtysë të rëndësishme thellimit dhe zgjerimit të tregtisë mes vendeve të rajonit, “të krijojë hapësira më të gjera për tërheqjen e investimeve të huaja rajonale, si dhe të ndikojë në rritjen e mirëqenies së prodhuesve dhe konsumatorëve”. Ai ka shtuar se përfitimet e Kosovës nga funksionimi i marrëveshjes janë të drejtpërdrejta. “Për herë të parë, që sot Kosova gëzon të drejta ndërkombëtare të barabarta me shtetet e tjera pjesëmarrëse në marrëveshje për trajtimin e problemeve në tregti që prodhuesit dhe eksportuesit e Kosovës hasin në shitjen e produkteve të tyre në vendet e rajonit, të cilat sot marrin mbi gjysmën e eksporteve të Kosovës”, ka shkruar ministri Dugolli.

ECIKS