Maqedonia sërish bllokon eksportin kosovar

UNMIK-u konsideron se institucionet vendore dhe ndërkombëtare ne Kosovë nuk mund të reagojnë për shkak se Maqedonia është shtet sovran. Ndërkohë autoritetet qeveritare të Kosovës as që kanë marrë përgjigje nga homologët e tyre maqedonas

Arbana Xharra / Koha Ditore

Prishtinë, 27 korrik 2007 – Maqedonia ka bërë të qartë sërish se do ta bllokojë Kosovën që të fusë në tregun maqedonas prodhimet e saj, duke i kërkuar për të dytën herë mijëra euro për një kamion miell që kompania kosovare “M&Silosi” deshi ta fusë në tregun maqedonas. Vetëm një muaj pasi ka paguar njëzet mijë euro për disa kamionë miell që ka dashur t’i eksportojë në Maqedoni, të premten, më 20 korrik, doganierët maqedonas i kanë kërkuar Silosit edhe 3.400 mije euro për një kamion miell. Ata kanë bllokuar kamionin me miell me ditë të tëra, me arsyetimin e njëjtë se duhet vërtetuar prejardhja e mallit.

UNMIK-u konsideron se institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë nuk mund të reagojnë për shkak se Maqedonia është shtet sovran. Ndërkohë mungesa e autoritetit qeveritar kosovar ka bërë që atyre as të mos u përgjigjen me shkrim homologët e tyre maqedonas. Ministri për Tregti edhe Industri herën e parë kur është bllokuar malli i “M&Silosi” i ka dërguar letër me shkrim ministres për Ekonomi në Maqedoni nga e cila ende nuk ka marrë përgjigje.

Drejtori ekzekutiv i “M&Silosi”, Adnan Merovci, bëri të ditur se kësaj radhe ata kanë dashur vetëm ta testojnë sjelljen e doganës maqedonase.

“Kemi nisur 25 tonë me miell në Maqedoni, të premten më 20 korrik, sa për të testuar sjelljen e doganave maqedonase. E kemi parë se ne do të vazhdojmë të pengohemi nga ta, duke na shkaktuar çrregullime në shitje”, ka bërë të ditur Merovci. Ai ka thënë se për këtë rast e ka lajmëruar edhe Shtyllën IV të UNMIK-ut dhe Ministrinë për Tregti dhe Industri. Nga një korrespodencë që ka mbajtur Merovci me një zyrtar të Shtyllës IV mësohet se UNMIK-u konsideron se aksionet e Kosovës ndaj shtetit maqedonas janë tepër të limituara.

“Siç e dini javën e kaluar është dërguar letra e dytë nga drejtori i Shtyllës IV dhe nga Ministri për Tregti edhe Industri dhe ende jemi duke pritur përgjigjen prej Ministrisë maqedonase të Ekonomisë. Pothuajse të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë të informuara, mirëpo duke pasur parasysh se Maqedonia është shtet sovran aksionet nga ana jonë janë tepër të limituara”, thuhet në përgjigjen që i ka dërguar përmes email-it një zyrtar i Shtyllës IV të drejtorit të“M&Silosi”.

Merovci e ka njoftuar përsëri UNMIK-un se doganat në Maqedoni e kanë kërkuar prapë verifikimin e mallit dhe se Marrëveshja për Tregti të Lirë nuk po respektohet.

“Malli ynë do të kalonte vetë nëse ne paguajmë depozitat që ata kërkojnë. MTL-ja nuk po respektohet, po e përsëris se kjo është çështje politike dhe kërkon trajtim dhe përgjigje politike”, ka thënë Merovci.

Ai ka kërkuar që edhe doganat tona të sillen njëjtë me mallrat maqedonase qe futen ne Kosovë. “Kjo do të ishte masë më adekuate e cila do të prodhonte efekt, përndryshe ne edhe me tutje do ti kemi problemet e njëjta”, ka shtuar Merovci.

Të mërkurën asnjë zyrtar i Ministrisë për Tregti edhe Industri nuk ka komentuar lidhur me bllokadën e dytë të miellit të “M&Silosi”, e cila përveç mjeteve që po i kërkohen duhet të paguajë edhe taksë për mallin që po i qëndron ne terminalin doganor.

Disa javë më parë, Dogana e Maqedonisë pati bllokuar për plot dymbëdhjetë ditë rreth 200 tonë miell të kësaj kompanie. Arsyetimi zyrtar i doganave ishte se dëshironin të vërtetonin origjinën e mallit, nëse ai vërtet ishte prodhuar në Kosovë dhe për këtë kishin kërkuar 20 mijë euro.

Ndërkohë doganat kosovare patën vërtetuar se prodhimi është kosovar dhe se ‘M&Silosi’ mund të sigurojë lëndën e parë për të prodhuar miellin që eksporton në Maqedoni. Mirëpo doganat maqedonase këtë nuk e patën marrë parasysh.

U pati mësuar se doganat maqedonase patën deklaruar se vendimi për bllokimin e tetë kamionëve me miell, që po eksportoheshin për në këtë vend, është urdhëruar drejtpërdrejt nga Qeveria maqedonase, me kërkesë të Shoqatës së Mullisëve të Maqedonisë për shkak të konkurrencës në treg.

Atëbotë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, pati deklaruar se kjo është shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë.

Edhe Oda Ekonomike në Kosovë pati reaguar duke thënë se nuk ka ndonjë arsye tjetër që mielli nga Kosova të mbahet i bllokuar. Zyrtarë të OEK-ut patën thënë se kjo teston edhe aftësitë e institucioneve kosovare për të mbrojtur bizneset vendore dhe të drejtat e tyre që u takojnë me Marrëveshje për Tregti të Lirë.

ECIKS / Koha Ditore