Buxheti merr tatëpjetën

Prishtinë, 1 shtator 2006 — Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka bërë të ditur se vitin e ardhshëm buxheti i konsoliduar i Kosovës do të jetë 690 milionë euro. Sipas kësaj të dhëne, del se me gjithë krijimin e shumë agjencive shpenzuese që parashihen të bëhen, buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë për 10 milionë euro më i varfër.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Behxhet Brajshori, deklaroi se kjo është duke u bërë me qëllim të racionalizimit sa më të mirë të parasë publike.

“Si institucion, jemi munduar që të jemi sa më real në planifikimin e shpenzimeve. Dhe besoj se kemi qenë shumë racional në këtë planifikim”, tha për Express Brajshori.

Sipas tij, përkundër planifikimit të krijimit të agjencive të reja shpenzuese që parashihen, e siç janë ministritë e reja, komunat e të tjera, kjo shumë mjetesh do të jetë reale.

“I kemi pasur parasysh se me zgjidhjen e statusit do të krijohen edhe agjenci të reja me çka edhe shpenzimet do të rriteshin, mirëpo i kemi analizuar dhe besoj se brenda këtyre parametrave nuk do të dalim. Megjithatë, nëse do të ketë tejkalim të të hyrave, mund të ketë edhe rritje të këtij buxheti”, tha Brajshori.

MEF ka shpallur mbajtjen e dëgjimeve buxhetore për organizatat qendrore, si përgatitje për vendimet mbi buxhetin e Kosovës për vitin 2007. Dëgjimet do të mbahen prej 4 deri më 22 shtator 2006. Ato sigurojnë një forum për degët ekzekutive dhe ligjvënëse qeveritare, në mënyrë që të shpjegojnë kërkesat e tyre dhe përgjigjen në pyetjet e bazuara në paraqitjet fillestare buxhetore për financimin e programeve dhe projekteve të paraqitura përpara dëgjimeve buxhetore .

Duke filluar prej vitit 2004, buxheti vjetor i Kosovës është hartuar në përputhshmëri me Kornizën Afatmesme Buxhetore, e cila ka për bazë projeksionet preliminare ekonomike dhe analizat mbi të hyrat dhe parashikimet nga financimet e donatorëve, të cilat janë ndërmarrë në fillim të këtij viti për periudhën pasuese tri vjeçare.

Këshilli Ekonomik Fiskal ka aprovuar Kornizën Afatmesme të Buxhetit, Strategjinë Buxhetore për 2007 – 2009, e cila pasqyron kufirin prej 690 milionë eurove për buxhetin e vitit 2007 ose 10 milionë euro më pak se buxheti 2006.

“Në përgatitjet e buxhetit për vitin 2007 dhe vlerësimet për vitin pasues fiskal, në këtë vit MEF-i ka paraqitur një drejtim të hershëm apo një “linjë bazë” të vlerësimeve për secilën nga organizatat buxhetore qendrore, duke nxjerrë informatat nga dokumentet buxhetore për vitin 2006 për secilën organizatë buxhetore. Vlerësimet paraprake janë parashikime të kostos së vazhdueshme apo kompletim i programeve dhe projekteve, të cilat bazohen në politikën aktuale qeveritare”, thuhet në një njoftim të MEF-it.

Më shumë se 100 përfaqësues nga afro 40 organizata buxhetore priten të mblidhen në MEF brenda periudhës tri javore të lejuar për dëgjime. Ky është viti i katërt që MEF-i organizon dëgjimet buxhetore me organizatat buxhetore. Me qarkoren buxhetore 2007/01, qeveria e Kosovës do të përpiqet të mbajë shpenzimet e saj në vitin 2007 në cakun prej 376 milionë eurosh. Ky nivel është për 8 milionë euro më i ulët nga ai i aprovuar për vitin 2006. Ky reduktim do të shtrojë nevojën për shkurtime në shpenzimet e shumicës së organizatave buxhetore.

Edhe pse mund t’u nënshtrohen ndryshimeve të caktuara, afërsisht 150 milionë euro do të jenë në dispozicion të organizatave buxhetore qendrore për shpenzimet kapitale të vitit 2007. Kërkesa e parë në këtë shumë do të jenë projektet e arsyetuara mirë dhe të vazhdueshme, që janë aprovuar në vitet paraprake (“vlerësimet e hershme”).

Analizat aktuale sugjerojnë që afërsisht 90 milionë euro përfaqësojnë vlerësimet e hershme në vitin 2007 me kosto shtesë në vitet pasuese. Organizatat buxhetore duhet t’i diskutojnë vlerësimet e tyre të hershme me analistin buxhetor të Departamentit të Buxhetit, në mënyrë që të arrijnë të kenë vlerësimet më të reja. Duke pretenduar se vlerësimi prej 90 milionë eurove është i saktë, kjo bën që të mbeten rreth 60 milionë euro për shpenzimet neto kapitale në vitin 2007.

Gazeta Express