Konstituohet Bordi Këshillues i Trepçës

Prishtinë, 5 shtator 2006 – Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku dhe kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker, kanë marrë pjesë në takimin e parë të Bordit Këshillues të Trepçës, i cili është konstituuar sot në Mitrovicë. Sipas njoftimit zyrtar, në këtë takim kryeministri Çeku ka thënë se tani e tutje, Bordi do të jetë pikë kryesore referuese e të gjithë të interesuarve lidhur me Trepçën, për mbrojtjen e interesave të saj, rivitalizimin dhe riorganizimin e Trepçës.

Ai, më tutje, ka thënë se Qeveria e Kosovës, UNMIK-u dhe AKM-ja janë pajtuar kohë më parë për disa parime të përgjithshme për Trepçën. “Trepça duhet mbrojtur kundrejt kërkesave të kreditorëve të mundshëm dhe aty ku është e mundshme duhet të rifillojmë prodhimin për të krijuar vende të reja të punës dhe të ardhura. Njëkohësisht duhet të përgatisim një strategji të saktë, por nëse është e nevojshme edhe privatizimin e saj”, ka nënvizuar kryeministri.

Kryeministri ka thënë se PSSP-ja më herët ka vendosur një moratorium pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme në ankesat e kreditorëve të mundshëm për t’i shqyrtuar dhe për t’i vlerësuar ato më vonë dhe në këtë kontekst edhe për t’u përgatitur për një privatizim eventual.

Kryeministri ka shtuar se Bordi i formuar rishtas do të jetë i gatshëm të japë këshilla dhe udhëzime për këto detyra të rëndësishme dhe se ai duhet të sigurojë seriozisht çështjet e rëndësishme siç janë: mbrojtja e punëtorëve dhe mbrojtja e ambientit, në mënyrë që këto çështje të adresohen drejt në këtë proces.

Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, më pas ka bërë të ditur përbërjen e Bordit Këshillues të Trepçës. Ky Bord do të përbëhet nga Et’hem Çeku, ministër i Energjisë e i Minierave, Gerry Galucci, përfaqësues i UNMIK-ut nga Mitrovica, Velimir Bojoviq, kryetar i Komunës së Leposaviqit, Viktor Ula nga Zyra e Kryeministrit, Ahmet Shala nga AKM-ja, Jovan Dinkiq, menaxher i Trepçës në Veri, Nazmi Mikullovci, Menaxher i Trepçës në Jug, Dushko Dragoviq, përfaqësues i Bashkimit Tregtar të Trepçës nga Veriu dhe Ismet Behrami, përfaqësues i Bashkimit Tregtar të Trepçës nga Jugu. Ndërkaq një ekspert i pavarur nga Shtylla e IV-të do të emërohet së shpejti.

ECIKS / RTK