Buxheti më 2013, 1.586 miliard euro

Buxheti i konsoliduar i Kosovës për vitin 2013-të do të jetë 1 miliard e 586 milion euro. Kështu ka deklaruar ministri i Financave Bedri Hamza, në konferencë për media. Ministri Hamza ka thënë se në këtë buxhet është paraparë edhe fillimi i autostradës Prishtinë – Shkup, për çka ai tha se janë ndarë 30 milion euro.

Hamza tha se më përfaqësuesit e Fondit Monetarë Ndërkombëtarë, është diskutuar rreth rishikimit të dytë të marrëveshjes “Stand – By” dhe vlerësimet e përgjithshme janë se kriteret kuantitative të performancë janë përmbushur.

“Është vlerësim se politikat makro-ekonomike janë gjerësisht në rrugën e duhur. Përveç rishikimit të dytë të marrëveshjes “Stand-by”, e cila pritet të diskutohet dhe shpresojmë që të aprovohet në bordin e FMN-së me datën 21 dhjetor, ku presim edhe disbursimin tjetër të mjeteve për buxhetin e Kosovës, që do të jenë rreth 40 milion euro. Temat kryesore që janë diskutuar janë ekzekutimi i buxhetit të viti 2012-të, buxheti i vitit 2013-të dhe rregulla fiskale”, tha ministri i Financave Bedri Hamza.

Ndërkaq, përfaqësuesi i FMN-së Johannes Wiegand, tha se përkundër krizës së pranishme në vendet e Eurozonës, Kosova aktualisht nuk është e prekur, mirëpo shtoi se Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera duhet të jenë të përgatitura në rast se kriza godet, në mënyrë që ajo të tejkalohet sa më lehtë.

/Telegrafi/