Bursa e Tiranës: prezanohet strategjia për zhvillim

Tiranë, 27 mars 2004 – Rritja e transparencës dhe kërkesa reale për monitorimin dhe auditim, si dhe investimi në kapacitete ekspertësh do të thjeshtojnë dhe përshpejtojnë procesin e zhvillimit real të Bursës dhe tregjeve të kapitalit në Shqipëri.

Tregu i kapitaleve, një nga faktorët themelorë për një zhvillim të vrullshëm ekonomik, vazhdon që të jetë në një gjendje të mjerueshme. Megjithëse formalisht ky treg është i themeluar që në mars të vitit 2002, me pronar të vetëm Ministrinë e Financave, praktikisht ai është jashtë funksionimit. Mosfunksionimi i tregut lidhet me shumë probleme të evidentuara tashmë dhe veçanërisht me strukturën financiare që ekziston në ekonominë shqiptare. Në kuadrin e reformave që konsistojnë në përmirësimin e strukturës dhe shërbimeve financiare, nga ana e qeverisë shqiptare janë ndërmarrë reforma që konsistojnë në institucionalizimin e tregjeve të kapitalit. Një nga projektet më të rëndësishme të hartuara në kuadër të modernizimit të sistemit financiar është dhe ligji i ri i kontabilitetit të shoqërive tregtare, i cili pritet që të cojë në përafrimin e standardeve kombëtare kontabile me ato ndërkombëtare. Ky ligj midis të tjerave vendos detyrimin që jo vetëm shoqëritë anonime që zotërojnë shuma të mëdha kapitalesh dhe fuqie punëtore, por edhe shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar të paraqesin bilancin kontabël për ekspertizë para ekspertit kontabël, përpara se ky i fundit të shkojë për kontroll në zyrën e tatim-taksave. Njëkohësisht është parë si një domosdoshmëri edhe ndryshimi i ligjit për shoqeritë tregtare, në mënyrë që të aplikohen standarde ndërkombëtare për qeverisjen e këtyre shoqërive. Përmirësimi i këtyre ligjeve shihet nga ana e specialistëve, si edhe një mundësi për rritjen reale të transparencës së aktivitetit të shoqërive tregtare, duke rritur besueshmërinë dhe njëkohësisht shanset për të bërë të mundur listimin e tyre në Bursë. Dje në prezantimin e strategjisë për zhvillimin e Bursës së Tiranës dhe tregjeve të kapitalit, Ministrja e Financave Adriana Berberi tha : “Hapat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në drejtim të ngritjes së strukturave të tregut financiar mund të bëhen të suksesshme vetëm nëse ato bashkëshoqërohen dhe sinkronizohen me hapat që duhet të bëjë biznesi privat në këtë drejtim”.

ECIKS / Biznesi