Buqetë taksash për kosovarët

Prishtinë, 23 dhjetor 2004 – Admistrata Tatimore e Kosovës, nga janari do të fillojë të tatojë çdo të ardhur e cila konsiderohet se rrit pasurinë e personave. Në skemën e re përfshihen edhe pensionet

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), që nga 1 janari i vitit të ardhshëm planifikon thjeshtimin e strukturës tatimore në vetëm dy lloj tatimesh, atë mbi të ardhurat personale dhe tatimin në të ardhurat e korporatave, duke synuar zgjerimin e bazës tatimore. Që nga fillimi i vitit të ri, tatimi në të ardhura personale i cili aplikohej vetëm në paga, do të zgjerohet në të gjitha të hyrat, si në të hyrat nga qiraja, të ardhurat nga lotaritë, dividenti, interesa, etj, prej nga pritet një rritje e buxhetit për vitin 2005. Aktualish aplikohen tre lloj tatimesh si tatimi i paragjykuar, tatimi në fitim dhe tatimi në të ardhura personale. Mirëpo edhe përkundër ndryshimeve, sipas zyrëtarëve të AT-së, përsëri disa kompani të vogla do të vazhdojnë t’i nënshtrohen tatimit të paragjykuar, duke paguar shumë fikse për çdo tremujor, nëse xhiro vjetore e tyre është më e ulët se 5 mijë euro. Elmaze Pireva, zv/drejtoreshë e AT-së, tha për “Biznesin” se nga janari do të fillojë të tatohet çdo e ardhur e cila konsiderohet se rrit të ardhurat e personave. Me politikën e re tatimore do të tatohen edhe pensionet, por për dallim nga tatimi në paga, pensionet do të kenë zbritje 15 për qind. Ndryshimet e bëra në AT nuk kanë parë të arsyeshme ndryshimin e shkallëve tatimore të cilat aplikohen në tatimin e pagës, prandaj ato, sipas Pirevës, do të jenë të njëjta, 0 % për pjesën e pagës deri në 80 euro, 5 % për pjesën e pagës nga 80-250 euro, 10 % për pjesën e pagës nga 250 euro deri në 450 euro, ndërsa pjesa e pagës mbi 450 euro do të tatimohet 20 për qind. Sa u përket institucioneve bankare të cilat fitojnë nga interesi, ato janë të obliguara të mbajnë 20 për qind të tatimit në burim, të cilin do t’ia paguajnë në formë tatimi nga interesi. E njëjta përqindje do të mbahet edhe për dividentën dhe lojërat e fatit.

Tatimi mbi qiranë
Pireva shpjegoi se edhe paguesit e qirasë janë të obliguar që 16 për qind të mjeteve t’i paguajnë tatim, mirëpo marrësit të qirasë i lejohet një zbritje nga shpenzimet.

Limiti i qarkullimit të Cash-it
AT ka aplikuar shkallë të ndryshme tatimore për ata që kanë fitim mbi 50 mijë euro dhe ata që kanë fitim nën 50 mijë euro. Kur merret parasysh tatimi në të ardhurat e korporatave i cili do të paguhet çdo tre muaj, si më parë, ndryshimi është paraparë te limiti i qarkullimit të parave të tyre. Derisa më parë limiti i qarkullimit ka qenë 100 mijë euro, tani është 50 mijë euro.

Përjashtimi
Edhe më tutje tatimeve nuk iu nënshtrohen organizatat e huaja, Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), UNMIK-u, KFOR-i, si dhe organizatat për përfitim publik, etj. Kurse kompanitë e sigurimeve do të paguajnë si edhe më parë 7 për qind nga fitimi bruto dhe nuk u lejohet kurrëfarë ulje për shpenzimet e tyre.

ECIKS / Biznesi