BSPK: “Spin-off”-i special garanton vendet e punës

Prishtinë, 19 tetor 2004 – “Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore me spin-off special, përparësitë dhe mangësitë” ishte tema për të cilën u diskutua dje në konferencën njëditore të organizuar nga BSPK-ja, në prag të privatizimit edhe të katër ndërmarrjeve tjera shoqërore në Kosovë.

Konferenca kishte për qëllim të diskutojë hapur rreth metodës së Spin-offit special, sidomos me përfaqësuesit e ndërmarrjeve të cilat kanë shprehur disa vërejtje rreth kësaj metode të privatizimit, është shprehur kryetar i BSPK-së Bahri Shabani. Në konferencë përveç përfaqësuesve të sindikatave, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe të atyre ndërkombëtare.

“Me gjithë faktin se ende nuk e dijmë se me cilat kritere duhet të bëhet ky privatizim, qëndrimi i BSPK-së është që ndërmarrjet tona shoqërore duhet të shiten me spin-offin special, pasi që jemi të interesuar që të kemi një punësim sa më të madh të mundshëm dhe nuk mendojmë se ka një kushtëzim për investitorët”, tha kryetari i BSPK-së Bahri Shabani.

Megjithëkëtë, përfaqësuesit e katër ndërmarrjeve të parapara që do të privatizohen me spin–offin special, Fabrika e Birrës – në Pejë, Fabrika e Llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, “Ballkan” në Therandë dhe Kompania Hoteliere -Turistike “Kosova” në Prishtinë, shprehën qëndrime të ndryshme rreth privatizimit.

Agim Elshani, drejtori i Fabrikës së Birrës në Pejë, tha se kjo ndërmarrje me 2 mijë punëtorët që i ka, funksionon mjaft mirë. Prandaj, ai kërkoi që procesi i privatizimit për këtë ndërmarrje të shtyhet: “Arsye kryesore është se privatizimi ka shumë të meta dhe ne besojmë se pas zgjedhjeve Qeveria e Kosovës do të dalë më e fortë dhe do të marrë përsipër edhe procesin e privatizimit”.

Xhon Xhonson, drejtori i privatizimit në Kosovë, tha se disa ndërmarrje kanë një perspektivë më të madhe për tërheqjen e investimeve, andaj atyre i kemi preferuar metodën e spin-offit special:

“Me këtë metodë kemi një minimum të investimeve të parapara poashtu edhe një minmum të fuqisë punëtore që blerësi i ri ka për detyrë ta mbajë”.

Në fund Xhohnson ftoi BSPK-në që të organizojë një konferencë të ngjashme ku përfaqësuesit e ministrisë së financave dhe të doganave do të spjegonin sistemin tatimor, tarifat dhe ngarkesat e doganave me të cilat duhet të përballen ndërmarrësit.

ECIKS / Radio Kosova