BSPK e shqetësuar për sigurinë e punëtorëve

Prishtinë, 21 korrik 2004 – Me rastin e mbytjes së dy punëtorëve të Mihjes Sipërfaqësore të Mirashit, Ekrem Xhemajl Ibrahimit (49) nga Plemetini dhe Zymber Azem Preniqi (62) nga Hadja, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për mosmbrojtjen dhe sigurinë e punëtorëve të Kosovës në vendet e tyre të punës. Në reagimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thuhet se ky nuk është rasti i parë. Në Kosovë, në pesë vjetët e fundit, kanë ndodhur disa raste të tilla, sidomos në KEK, për çka udhëheqja e BSPK-së konsideron se kjo është një papërgjegjësi e plotë e organeve kompetente për moszbatim të Ligjit për Mbrojtje në Punë dhe të rregulloreve të brendshme të ndërmarrjeve për këtë çështje. Në radhë të parë, përgjegjësit kryesorë janë Qeveria e Kosovës, UNMIK-u, AKM-ja dhe menaxhmentet e ndërmarrjeve, thuhet në reagimin e BSPK-së. Edhe pse kohë më parë Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin në fjalë, udhëheqja e BSPK-së mendon se ai nuk po zbatohet në tërësi, prandaj edhe po ndodhin këso rastesh. Nisur nga kjo, mendojmë se reagimet dhe shqetësimet e punëtorëve për këto dhe për diskriminime të tjera që po u bëhen atyre, janë të arsyeshme dhe legjitime. Një revoltë e tillë u shpreh edhe në protestën e fundit gjithëpunëtore, që u mbajt para do ditësh, në Prishtinë, me ç’rast u kërkua miratimi dhe zbatimi i ligjeve të ndryshme për mbrojtjen e punëtorëve. Andaj, udhëheqja e BSPK-së edhe një herë kërkon nga organet kompetente, sidomos nga Qeveria e Kosovës, që ta zbatojnë Ligjin për Mbrojtje në Punë, në mënyrë që në të ardhmen mos të ndodhin raste tragjike të punëtorëve në vendet e punës. Në këtë drejtim, mendojmë se edhe Inspektorati i Punës do të duhej të luajë rol më aktiv dhe të bëjë kontroll më të rreptë nëpër ndërrmarrje dhe gjetiu, për t’iu siguruar punëtorëve kushte më të mira pune, thuhet në një reagim të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të nënshkruar kryetari Bahri Shabani.

ECIKS / Balkanweb