Britanikët interesohen për investime në Kosovë

Një grup investitorësh nga Britania e Madhe, së bashku me Princin e Kentit Micheal, kanë vizituar Kosovën dhe janë interesuar për investime në sektorin e minierave dhe në prodhimtarinë e verërave.

Biznesmenët nga Britania e Madhe kanë vizituar edhe minierën e “Trepçës” në Mitrovicë dhe janë interesuar për mundësinë e investimeve në këtë kompani.

Gjatë vizitës princi Michael tha se shumë kompani nga Britania janë duke shikuar mundësinë e investimeve në fushën e minierave në Kosovë.

Ndërsa menaxheri i kombinatit “Trepça”, Ferat Shala, është shprehur se me pak investime produktiviteti i minierave do të ishte shumë më i madh.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, investitorët nga Britania kanë vizituar edhe kompaninë për prodhimin e verërave “Stone Castle” në Rahavec.

Menaxheri i kësaj kompanie, Shani Mullaabazi e ka njoftuar Princin dhe delegacionin e biznesmenëve britanikë, për veprimtarinë dhe punën e kësaj kompanie për kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verërave.

Mullaabazi tha se cilësia e verërave kosovare është treguar e suksesshme në tregjet evropiane.

Princi Michael ka theksuar se është i impresionuar me arritjet në Kosovë, si dhe që është optimist për të ardhmen e saj. Ai ka lavdëruar edhe shijen e verës, duke shtuar se këtë pije ata dëshirojnë ta kenë edhe në Britani.

Sektori i minierave dhe prodhimtaria e verërave në Kosovë konsiderohen ndër sektorët më të mirë për investime të jashtme.

ECIKS