Biznesi vendas kërkon Albtelekomin

Tiranë, 10 shtator 2004 – Kompania shtetërore e telefonisë fikse Albtelekom duhet të privatizohet nga kompanitë shqiptare dhe jo nga firmat e huaja. Kompanitë shqiptare kanë kapacitetin e nevojshëm dhe të mjaftueshëm për të marrë pjesë në privatizimin e pjesshëm osë të plotë të tij. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Luan Bregasi, është shprehur për “Biznesin” se “kompanive shqiptare nuk u mungon mundësia financiare, aftësia menaxhuese dhe kapaciteti intelektual dhe për këtë arsye duhet që firmat vendëse të marrin pjesë në tender dhe të privatizojnë shoqërinë Albtelekom”. Bregasi ka shtuar se “bashkimi i bizneseve në një organizatë të vetme mund të sjellë një mundësi më tepër për t’u bërë pronarë legjitimë të Albtelekomit”. Ai ka pohuar faktin se “lidhur me këtë çështje duhet të marrim shembull nga privatizimi i disa aktivitete të tjera me rëndësi të veçantë ekonomike si “Birra Tirana”, “Hotel Tirana International”, etj. Privatizimi i aktiviteteve të tilla kanë dhënë një shembull mjaft të mirë për biznesin vendës”. Gjithnjë e më shumë është theksuar fakti se për zhvillimin e ekonomik të një vendi, më shumë se kushdo tjetër janë të interesuar vendësit. Veç të tjerave, Bregasi ka theksuar faktin se “nuk duhet të përsëriten raste të tilla, si ai i privatizimit të kompanisë ish-shtetërore të sigurimeve Insig”, në privatizimin e së cilës nuk u lejuan të marrin pjesë kompanitë vendëse. Kjo për arsye se u vu kusht që kompanitë vendëse duhet të kishin mbi 20 vjet eksperiencë në fushën e sigurimeve. Ndërkohë që kompanitë shqiptare nuk kanë më shumë se 10 vjet eksperiencë në këtë drejtim.

Interesi
Aktualisht, problem mbetet fakti se deri tani pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë nuk është paraqitur zyrtarisht asnjë kompani shqiptare për të marrë pjesë në privatizimin e Albtelekomit, i cili do të zhvillohet brenda këtij viti. Bregasi ka pohuar faktin se “deri tani ka patur vetëm interesime jozyrtare nga biznesmenë të ndryshëm vendës, duke mos paraqitur ndonjë kërkesë për pjesëmarrje në këtë tender”.

Nuk ka kaluar shumë kohë që kur qeveria miratoi paketën ligjore për vazhdimin dhe përfundimin e procesit të privatizimit të kompanisë shtetërore Albtelekom. Sipas kësaj pakete, investitorëve strategjikë do t’u jepen 76 për qind të aksioneve të Albtelekomit. Ndërkohë që pjesa e mbetur e paketës së aksioneve është e hapur për të gjithë publikun, përfshi këtu edhe investitorin strategjik. Një element tjetër kryesor i paketës të aksioneve të shoqërisë Albtelekom është fakti që pjesë e saj do të jetë edhe licensa e shërbimit të tretë për telefoninë celulare, operatorit më të ri në fushën e telefonisë celulare ” Eagle Mobile “.

ECIKS / Biznesi