BERZH-i kërkon projekte konkrete nga kosovarët

Prishtine, 16 mars 2007 – Zyrtarët e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjatë një takimi të sotëm me afaristët kosovarë, që është mbajtur në Odën Ekonomike të Kosovës, kanë kërkuar nga komuniteti i biznesit të jetë më aktiv në paraqitjen e projekteve konkrete.

Zyrtari i BERZH-it, Kenji Nakazawa, është shprehur para komunitetit të biznesit, se kjo bankë është prezente në mënyrë aktive që prej disa vitesh në Kosovë, “mirëpo është shumë e rëndësishme që biznesi të ketë projekte konkrete dhe të realizueshme”. Nakazawa kërkoi projekte konkrete nga afaristët, në mënyrë që t’ju lejohen fonde nga kjo bankë.

Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, ka deklaruar se pret aktivizimin e komunitetit të biznesit në këtë drejtim: “Në të ardhmen presim që komuniteti i biznesit të jetë më aktiv në paraqitjen e projekteve konkrete”, tha ai.

Ne, siç u shpreh Beqaj, u morëm vesh me BERZH-in që OEK-u të koordinojë komunikimin me biznesin në mënyrë që edhe ata të kenë më të lehtë, por edhe BERZH-i të ketë një komunikim të drejtpërdrejt me neve përmes biznesit”.

Biznesmenët kosovarë me këtë rast janë njoftuar për sektorët për të cilat mund të sigurohen fondet dhe për procesin e paraqitjes së kërkesës.

ECIKS / Telegrafi