Autostrada kryhet më 2009

Pjesa e mbetur e autostradës deri në kufi me Kosovën do të kushtojë rreth 400 milionë euro, do të ketë gjatësi 170 km, tunelin më të gjatë në Ballkan dhe 35 ura. Në këtë rrugë do të mund të zhvillohet shpejtësia 100 km në orë

Tiranë, 17 mars 2007 – Jo vetëm si projekt komunikimi me fqinjët, segmenti i rrugës Durrës -Morinë (në kufi me Kosovën) do të ndihmojë edhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Rruga e lidh portin e Durrësit me pikën kufitare të Kosovës. Varianti i rrugës së re pothuajse është krejtësisht fushor, pasi kalon nga Miloti në Ndërfushë, në Reps, në Thirrë e deri në kufi. Sipas drejtuesve të këtij projekti, përfundimi i autostradës parashikohet në korrik të vitit 2009.

Varianti i propozuar i rrugës së re pothuajse është krejtësisht fushor në pesë qytetet: Durrës, Tiranë, Fushë-Krujë, Milot, Rrëshen dhe Kukës. Kostoja totale e këtij investimi do të jetë rreth 400 milionë euro. Aktualisht janë dy rrugë ekzistuese nga Durrësi deri në Morinë, njëra me gjatësi 234 e tjetra 214 kilometra, që kalohen nga 5 deri në 7 orë, me shpejtësi të automjeteve 30-45 km në orë. Ndërkaq, rruga e re do të jetë e gjatë 170 km dhe do të përshkohet për 2 orë e gjysmë. Në autostradën Durrës – Morinë parashikohen të ndërtohen 37 vepra publike. Burimet nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit thanë për “Tirana Observer” se, përveç ndërtimit të 35 urave, në këtë listë bën pjesë edhe ngritja e terminalit të ri në portin e Durrësit, si dhe hapja e tunelit më të madh në Ballkan. Jo vetëm këto, por aksi do të ndihmojë edhe si një zonë industriale, ku do të ndërtohen shumë fabrika. Sipas të dhënave, vetëm për ndërtimin e rrugës do të punësohen 2500 persona.

Shpërthimi i parë, i fillimit të gërmimit të tunelit Thirrë-Kalimash, 5.65 kilometra, u krye të dielën në hyrje të kësaj vepre të re. Në autostradën Rrëshen – Kalimash, prej 60.85 kilometrash, bën pjesë edhe tuneli i ri, pjesa më e vështirë e kësaj vepre inxhinierike. Tuneli mes për mes Thirrë-Kalimashit do të jetë me 4 korsi kalimi dhe po ndërtohet nga kompanitë e huaja. Është kompania amerikane “Bechtel” dhe ajo turke “Enka”, të cilat kanë krijuar një Joint-venture dhe do të përfundojnë një nga tunelet më të gjatë, ndërtuar ndonjëherë në Ballkan, në korrik të vitit 2009. Tunelet do të gërmohen me teknologji moderne, në përputhje me metodën e re austriake (NATM), e cila qëndron në shfrytëzimin e kapacitetit mbajtës të shkëmbit, për të siguruar hapjen e tunelit. Sipas specialistëve, shpejtësia e qarkullimit të mjeteve në këtë aks do të jetë 100 kilometra në orë.

ECIKS / Lajm